Shtëpia 200-vjeçare në Prishtinë, Foto: KALLXO.com

Shtëpia 200-vjeçare në Prishtinë (VIDEO)

Shtëpia 200 vjeçare e cila ndodhet në zemër të Prishtinës tash e disa vite është në mbrojtje të përhershme dhe është objekti i Institutit për Mbrojtje të Monumenteve (IKMM).

Historiani Emin Sallahu, i cili është edhe hulumtues në IKMM tha se ky objekt i takon shekullit të 19-të dhe është ndërtuar sipas arkitekturës moderne të asaj kohe.

“Objekti prapa nesh është objekt që i takon shekullit të 19-të, përafërsisht 200 vite nga tash. Është ndërtuar në një arkiteturë moderne të asaj kohë. Paraqet një nga shtëpitë më luksoze të Prishtinës” – tha ai.

Karakteristikë e kësaj shtëpie është pema e dudit në oborrin e saj që simbolizon edhe ditën kur është ndërtuar ky objekt.

“Në atë periudhë kohore ka qenë traditë që çdo shtëpi që është fillu me ndërtu është mbjellë një dud në afërsi të saj për me simbolizu fillimin e jetës së re. Që do të thotë që ky dud bashkë me shtëpinë janë rritur paralel dhe kanë jetu tash e 200 vite”- theksoi Sallahu.

Ndërsa, ajo çfarë e dallon këtë shtëpi është ndarja e saj, njëra pjesë e dedikuar për gratë dhe fëmijët e tjetra për burrat.

“Ka pas një ndarje, sado që fizikisht janë pa, e ka pas një ndarje për mos me i pengu njëri-tjetrit në biseda mos me ju interferu”- shtoi historiani Sallahu.

Sallahu thotë se në këtë shtëpi janë bërë intervenime por asnjëherë nuk është ndryshuar pamja origjinale e saj.

Shtëpia ka qenë pronë e Fadil Koxhadishit, i cili ka jetuar në këtë shtëpi bashkë me katër djem e tri vajza.

Kjo shtëpi deri në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar ka qenë pronë private por pastaj nga përndjekja e osmanëve pronari është detyruar të shpërngulet në Turqi.

Pronari më pas ia ka shitur objektin shtetit. Që nga viti 1954 ky objekt ka qenë pronë e shtetit. Ky objekt është shndërruar në ndërtesë për Institutin e Mbrojtjes së Monumenteve që nga themelimi i saj.

Ky institut funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe është përgjegjëse për mbrojtjen e monumenteve kulturore.