Foto: NATO
Shtatorja e ish-presidentit Rugova do të përurohet në Podujevë
Në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, të shtunën më 07.09.2024, në Podujevë do të bëhet përurimi i shtatores së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ketë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.
“Kjo shtatore e cila është financuar me buxhetin e Komunës së Podujevës do të vendoset në Parkun e Qytetit, afër ish-objektit të administratës komunale”- tha Bulliqi.
Sipas tij, me vendosjen e kësaj shtatore “po nderojmë një nga figurat më të shquara të kombit tonë, Presidentin Ibrahim Rugova, si simbol të qëndresës, urtësisë dhe vizionit për një Kosovë të lirë dhe të pavarur”.
Ai ka njoftuar, në ceremoninë e përurimit do të marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë, bashkëpunëtorë të ish-presidentit Rugova, familjarë të tij dhe qytetarë nga treva e Llapit e gjitha trevat shqiptare.
Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova vdiq më 21.01.2006, pas një sëmundje të rëndë.