Ilustrim

Shtatë të burgosur fillojnë punën jashtë burgut

Shtatë persona, të cilët janë në vuajtje të dënimit në burgun e hapur të Smrekonicës, kanë filluar punën jashtë këtij institucioni.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shërbimi Korrektues i Kosovës me anë të një njoftimi.

“Shërbimin Korrektues i Kosovës ka filluar zbatimin e Udhëzimit Administrativ  në Qendrën Korrektuese të tipit të hapur të Smrekonicës për punën e të burgosurve jashtë institucionit korrektues, me ç ‘rast  shtatë të dënuar kanë filluar punën jashtë këtij institucioni”, ka njoftuar ShKK.

Tutje thuhet se puna e të burgosurve është një aktivitet i nevojshëm drejt risocializimit të suksesshëm dhe përgatitjes së tyre  për t’u rikthyer në shoqëri si individ të përgjegjshëm dhe të dobishëm për shoqërinë.

“ShKK është duke e realizuar misionin e saj ligjor për parandalimin  e përsëritjes  së krimit në të ardhmen, duke synuar një shoqëri ku sundon ligji”, thuhet në njoftim.

Madje ShKK është shprehur edhe se pret nga shoqëria e gjerë që t’i pranojë të burgosurit e punësuar në komunitet si pjesë jetës dhe punës në mjedisin e saj, si dhe të  ndihmojë ShKK-në  në misionin e risocializimit dhe riintegrimit të të burgosurve në shoqëri në Republikën e Kosovës.