Shtatë raste të dhunës në familje në Kosovë brenda 24 orësh

Rastet e dhunës në familje vazhdojnë të jenë prezente në Kosovë.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje.

Rastet e raportuara janë nga qyteti i Gjakovës, Vitisë, Prizrenit, Fushë Kosovës, Prishtinës dhe dy raste nga Lipjani.

Në Gjakovë rreth orës 9:30 në mëngjes është arrestuar një person pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje në familje e ka sulmuar fizikisht babain e tij.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajte.

Në qytetin e Vitisë është arrestuar një person pasi që ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga dy anëtarët e familjes së tij, nga bashkëshortja dhe djali.

Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Ndërsa, në Prizren dy persona të dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor pas një konflikti në mes vete.

Me vendim të prokurorit, pas intervistës palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Kurse, në qytetin e Fushës Kosovës me datën 24-të është arrestuar një person i dyshuar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje në familje kishte  sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti tjetër i dhunës vjen nga Prishtina, pasi një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga një person me të cilën është duke bashkëjetuar.

I dyshuari nuk është takuar, rasti vazhdon të hetohet.

Ndërsa në Lipjan raportohet për dy raste të dhunës.

Në rastin e parë pas një mosmarrëveshje në familje, një person ka tentuar ta sulmojë fizikisht babain e tij. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ndërsa në rastin e dytë është shoqëruar në stacionin policor një person, pasi që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit, pas intervistës palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.