ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Sipas të dhënave, rastet janë regjistruar në qytete të ndryshme të vendit.

Lidhur me këto raste Policia ka arrestuar disa persona të dyshuar.

Në Ferizaj është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar viktimën grua duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Rasti raportohet se ka ndodhur dje rreth orës 08:10.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërsa, një grua në Ferizaj ka raportuar se është kanosur nga një burrë. Rasti ka ndodhur dje rreth orës 16:00 dhe sipas Policisë, i dyshuar është dërguar në mbajtje.

Në Deçan një burrë është arrestuar dje nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ka njoftuar Policia.

Në Gjakovë, një burrë është arrestuar pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës grua.

Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur dje rreth orës 10:30 ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje pas intervistimit.

Në Gjakovë, në një tjetër rast, Policia ka arrestuar dje dy të dyshuar pasi që të njëjtit dyshohet se janë rrahur mes vete.

“Po ashtu lëndime trupore ka pësuar viktima grua cila është sulmuar nga i dyshuari”- thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se lidhur me rastin me vendim të prokurorit pas intervistimit njëri nga të dyshuarit dërgohet në mbajtje ndërsa i dyshuari tjetër lirohet në procedurë të rregullt.

Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar dje në Gjakovë. Një burrë është arrestuar pasi dyshohet se i ka shkaktuar dhunë ndaj një gruaje dhe një burri. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ka njoftuar Policia.

Ndërsa, në Malishevë një burrë është arrestuar dje nën dyshimin për dhunë në familje.

I njëjti është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.