ILUSTRIM - Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Dy raste kanë ndodhur në Fushë-Kosovë, dy në Prishtinë, një në Podujevë, një në Ferizaj dhe një në Skenderaj.

Në Fushë-Kosovë, Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor. Ndërkaq, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunës është raportuar në fushë Kosovë ku, një person është arrestuar nga Policia. Ai dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, e cila sipas raportit policor ka pësuar lëndime dhe më pas ka pranuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një grua në Podujevë ka raportuar se djali i saj, siç ceket në raport policor, me probleme të shëndetit mendor, e ka sulmuar fizikisht nënën e tij.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në repartin e Psikiatrisë.

Në Prishtinë, forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht vëllain e tij.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa me  vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë. Policia ka arrestuar një person i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshje në familje ka sulmuar fizikisht gruan e tij.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërkaq i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Në Ferizaj, Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Në raportin policor bëhet e ditur se, viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një grua në Skenderaj ka raportuar një rast të dhunës në familje në Policinë e Kosovës. Sipas raportit policor, viktima dyshohet të jetë sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Më pas palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.