Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë ditës së djeshme.

Sipas raportit policor, rastet kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës, Prizrenit dhe Gjakovës.

Në rastin e raportuar të ketë ndodhur në Prishtinë, dyshohet se gruaja ka ushtruar dhunë ndaj burrit. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Në rastin që ka ndodhur në Podujevë, dyshohet se një burrë ka rrahur gruan e tij, e cila pas sulmeve ka kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Edhe në Fushë Kosovë burri dyshohet se ka rrahur gruan e tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Në Prizren, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike në familje ndërsa pas trajtimit është dërguar në mbajtje.

Në qytetin e Dragashit dyshohet se një burë dhe një grua janë rrahur mes vete. Të dytë janë liruar pas intervistimit ndërsa rasti do të trajtohet me procedurë të rregullt.

Në Suharekë, dyshohet se djali ka rrahur babain e tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Rahovec, dyshohet se një grua është rrahur nga burri. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.