Euro, foto: Pixabay

Shtatë raportime për falsifikim të parasë, konfiskohen rreth 1 mijë euro

Në Policinë e Kosovës janë raportuar shtatë raste të dyshuara për falsifikim të parasë.

Në shtatë rastet e raportuara, sipas raportit të Policisë së Kosovës, vlera e parave që dyshohet se janë falsifikuar shkon në 1 mijë euro.

Pesë nga rastet që u raportuan në Policinë e Kosovës, thuhet se kanë ndodhur në Prishtinë, një në Lipjan dhe një tjetër në Prizren.

Rasti i parë që është raportuar është thënë se ka ndodhur më 29 shtator 2022, ku ankuesja, zyrtare e bankës, ka informuar se nga klientë të ndryshëm janë deponuar 200 euro që dyshohet se janë të falsifikuara.

Policia ka treguar se kartëmonedhat janë konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar.

Tutje është raportuar një rast tjetër dje gjatë ditës në Prishtinë, rreth orës 09:01.

Edhe në këtë rast, ankuesja, zyrtare e bankës, ka informuar se nga disa klientë janë deponuar 462 euro, monedha metalike, të dyshuara si të falsifikuara.

Nga Policia është thënë se monedhat janë konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar.

Ankuesi i rastit tjetër të ndodhur në kryeqytet prapë ka qenë zyrtar i bankës. Ai ka thënë se dje gjatë ditës, rreth orës 14:20, një klient ka deponuar një kartëmonedhë prej 100  eurove që dyshohet se është e falsifikuar.

Policia njëjtë si në rastet e tjera, edhe në këtë rast ka konfiskuar kartëmonedhën dhe rasti është duke u hetuar.

Rasti i fundit që është raportuar në Prishtinë, ka ndodhur gjithashtu dje, rreth orës 14:20.

Ankuesi zyrtar i bankës, ka informuar se nga një klient është deponuar një kartëmonedhë prej 50 eurove që dyshohet se është e falsifikuar. Kartëmonedha është thënë se është konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar.

Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Lipjan, dje rreth orës 12:01, ku ankuesja zyrtare e bankës, ka informuar se nga një klient është deponuar një kartëmonedhë prej 50 eurove që dyshohet se është e falsifikuar. Policia ka treguar se kartëmonedha është konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar.

Në anën tjetër ka ndodhur dje prapë në Prishtinë, rreth orës 13:30. Një ankues ka raportuar se dy gra kanë paguar në furrë me një kartëmonedhë 50 euro e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.

Policia ka thënë se rasti është iniciuar dhe është duke u hetuar.

Ndërsa rasti i fundit është raportuar në Prizren, rreth orës 18:00. Në këtë rast një ankuese, zyrtare e bankës, ka informuar se nga një klient është deponuar një kartëmonedhë prej 50 euro e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Kartëmonedha është konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar.