Shtatë persona po hetohen për falsifikim të testeve COVID-19 në Prizren

Shtatë persona janë duke u hetuar në Prizren për falsifikimin e testeve COVID-19.

Sipas prokurorisë në Prizren të shtatë personat janë të përfshirë në tri raste.

Prokuroria nuk ka dhënë detaje tjera për KALLXO.com, përveç konfirmimit për hetim duke thënë se ende janë në mbledhje të provave.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm është duke trajtuar tri (3) raste me shtatë (7) persona lidhur me falsifikim të testeve COVID–19 përkatësisht, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se të dyshuarit kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 të Kodit Penal të Kosovës (KPRK). Rastet në fjalë janë akoma në fazën e hetimit dhe grumbullimit të provave, andaj për detaje të tjera lidhur me këto raste do të njoftoheni me kohë”, ka konfirmuar Fitore Mehmeti Serjani për KALLXO.com.

Prokuroria e Ferizajt ka ngritur dy aktakuza për falsifikim të testeve COVID-19.

Raste të falsifikimit të testeve janë evidentuar pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës. Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetëra persona në Prizren, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan e Prishtinë.