Shtatë monumente i shtohen trashëgimisë natyrore

 

Trashëgimisë natyrore të Kosovës i janë shtuar edhe shtatë monumente të reja njofton Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës.

Ky institut gjatë vitit 2019-të kishte realizuar studimin e vlerave natyrore në territorin e komunës së Vitisë. Ndërsa aprovimi i këtij vendimi është bërë nga Kuvendi Komunal i Vitisë.

“Gjatë punës në terren, ekipet e Institutit në bashkëpunim me zyrtarët për mjedis të Komunës së Vitisë kanë evidentuar për mbrojtje 7 vlera të reja të natyrës si: Trungu i Bungbutes (Quercus pubescens) në Zhiti, Burimi i ujit termomineral në Ballancë, Trungjet e Qarrit (Quercus cerris) në Binçë, Trungu i Qarrit (Quercus cerris) në Germovë, Pylli i Mllakes (Quercus sp.) në Sllatinë e Epërme, Kompleksi i Trungjeve të Dushkut (Quercus sp.) në Sllatinë e Poshtme si dhe Guri i Blinave në Gjylekarë’’, njofton Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

Lista e zonave të mbrojtura të Kosovës është zgjeruar në 217 zona të kategorive të ndryshme.