Shtatë gjërat që Trumpi thotë se do t'i bëjë si president

Donald Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë me premtimin për veprime konkrete për çështjet që përfshijnë, emigrantët, ekonominë dhe luftën në Ukrainë. Ai duket se gëzon përkrahje të madhe për agjendën e tij politike në Kongres pasi republikanët e kanë kthyer kontrollin e Senatit, shkruan BBC më 07.11.2024.

Në fjalimin e fitores, Trumpi është zotuar se do të qeveriste “me një moto të thjeshtë: Premtimet e dhëna, premtime të mbajtura. Ne do t’i mbajmë premtimet tona”.

Por në disa raste, ka dhënë pak hollësi sesi do t’i jetësojë qëllimet e tij. I pyetur më 2023 në një intervistë në “Fox News” nëse do ta abuzonte pushtetin ose do t’i shënjestronte kundërshtarët e tij politik, ai do të deklaronte se nuk do ta bënte këtë, “pos në ditën e parë”.

“Jo, jo, jo, pos në ditën e parë. Do ta mbyllim kufirin, dhe do të shpojmë, shpojmë, shpojmë. Pastaj, unë nuk jam diktator”, do të deklaronte ai, duke folur për rëndësinë e shpimeve për gjetjen e burimeve të reja energjetike.

Dëbimi i emigrantëve ilegalë

Në kohën e fushatës, Trumpi premtoi dëbimet më të mëdha masive të emigrantëve pa dokumente në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Ai u zotua gjithashtu se do ta përfundonte ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën që kishte nisur gjatë presidencës së tij të parë.

Numri i kalimeve në kufirin amerikan të jugut shënoi shifra rekorde në fund të vitit të kaluar gjatë administratës Biden-Harris, para se të shënonte rënie në vitn 2024. Ekspertët i kanë thënë BBC-së se dëbimet në përmasa të mëdha prej anës së Trumpit do të shkaktonin sfida të mëdha logjistike dhe legale – dhe do të mund të ngadalësonin rritjen ekonomike.

Lëvizjet e mëdha në ekonomi, taksa dhe tarifa

Të dhënat e sondazheve kanë sugjeruar se ekonomia ishte çështje kyç për votuesit. Trumpi ka premtuar se do t’i japë “fund inflacionit” – i cili është rritur në nivele të larta nën presidentin Joe Biden, para se të binte përsëri. Por pushteti i një presidenti për të ndikuar çmimet direkt është e kufizuar.

Ai ka premtuar gjithashtu shkurtime taksash, duke shkuar përtej atyre që i kishte zbatuar më 2017. Ka premtuar se do të heqë taksat për pagesat e sigurimeve sociale dhe se do të ulë theksueshëm taksat e korporatave.

Ka propozuar tarifa të reja prej së paku 10 për qind ndaj shumicës së mallrave të huaja për të reduktuar deficitin tregtar. Importet nga Kina ka gjasë të përballen me një tarifë shtesë prej 60 për qind, ka thënë ai. Disa ekonomistë kanë paralajmëruar se vendimet e tilla do të mund të ngrehnin çmimet për qytetarët e rëndomtë.

Shfuqizimi i rregulloreve të klimës

Gjatë presidencës së tij të parë, Trump shfuqizoi qindra vendime mjedisore dhe e bëri Amerikën shtetin e parë që u tërhoq nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.

Këtë herë, ai është zotuar përsëri të shkurtojë rregulloret, veçanërisht si shteg për të ndihmuar industrinë amerikane të makinave. Ai ka sulmuar vazhdimisht automjetet elektrike, duke premtuar se do të përmbysë objektivat e Bidenit, duke inkurajuar kalimin në makina më të pastra.

Ai është zotuar të rrisë prodhimin e lëndëve djegëse fosile në SHBA – duke u zotuar se do të “shpojë, shpojë, shpojë” në ditën e parë në favor të burimeve të rinovueshme të energjisë- si energjia e erës.

Ai dëshiron të hapë zona të tilla si shkretëtira e Arktikut për shpimet e naftës, për të cilat argumenton se do të ulnin kostot e energjisë – megjithëse analistët janë skeptikë.

Përfundimi i luftës në Ukrainë

Trumpi ka kritikuar pse dhjetëra miliarda dollarë shpenzohen nga SHBA-ja për mbështetjen e Ukrainës në luftë me Rusinë – dhe është zotuar t’i japë fund konfliktit “brenda 24 orëve” përmes një marrëveshjeje të negociuar.

Ai nuk ka thënë se çfarë mendon se cila palë duhet të heqë dorë. Demokratët thonë se masa do t’i jepte zemër presidentit, Vladimir Putin.

Trumpi dëshiron që SHBA-ja të tërhiqet nga konfliktet e huaja në përgjithësi. Lidhur me luftën në Gaza – Trumpi është pozicionuar si një mbështetës i vendosur i Izraelit, por i ka kërkuar aleatit amerikan që t’i japë fund operacionit të tij.

Ai gjithashtu është zotuar t’i japë fund dhunës në Liban, por nuk ka dhënë detaje se si.

Pa ndalesa aborti

Kundër dëshirës së disa prej mbështetësve të tij, Trumpi deklaroi gjatë debatit presidencial me Kamala Harrisin se nuk do të nënshkruante në ligj kombëtar për ndalimin e abortit.

Në vitin 2022, e drejta kushtetuese mbarëkombëtare për abortin u rrëzua nga Gjykata e Lartë, e cila kishte shumicë gjyqtarësh konservatorë pas presidencës së parë të Trumpit.

Të drejtat riprodhuese u bënë temë kryesore e fushatës për Harrisin, dhe disa shtete miratuan masa për të mbrojtur ose zgjeruar të drejtat e abortit në ditën e votimit.

Vetë Trumpi ka thënë rregullisht se shtetet duhet të jenë të lira t’i vendosin ligjet e veta për abortin, por u përpoq të përçonte një mesazh të qëndrueshëm.

Falja e disa prej protestuesve të 6 janarit

Donald Trumpi ka thënë se do të “lirojë” disa nga të dënuarit për vepra penale gjatë trazirave në Uashington DC më 6 janar 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kapitolit në përpjekje për të penguar fitoren zgjedhore të Joe Bidenit në 2020.

Dhuna shkaktoi vdekjen e disa personave. Trump u akuzua për nxitje dhune.

Ai ka punuar për të minimizuar rëndësinë e trazirave dhe për të krijuar interpretimin se qindra mbështetës u dënuan si të burgosur politikë.

Ai ngulmon në të tijën se shumë prej tyre janë “burgosur gabimisht”, megjithëse ka pranuar se “dy prej tyre, me siguri kanë dalë jashtë kontrollit”.

Shkarkimi i prokurorit special, Jack Smith

Trumpi është zotuar ta shkarkojë “brenda dy sekondave” pas marrjes së detyrës prokurorin veteran që udhëheq dy hetime penale kundër tij.

Prokurori i posaçëm, Jack Smith, ka paditur Trump për përpjekjet e supozuara për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020 dhe për keqpërdorimin e dyshuar të dokumenteve të klasifikuara.

Trumpi mohon çdo keqpërdorim dhe arriti të parandalojë që secili rast të dalë në gjyq përpara zgjedhjeve. Ai thotë se Smith është përfshirë në një “gjueti politike shtrigash” kundër tij.

Trumpi do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë si presidenti i parë me një dënim penal, pasi është shpallur fajtor në New York për falsifikimin e të dhënave të biznesit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com