Shtatë gardianë të burgjeve të Kosovës janë infektuar me coronavirus

Shtatë zyrtarë korrektues,janë infektuar me coronavirus që nga koha e përhapjes së pandemisë në Kosovë.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar edhe se nuk ka të burgosur të infektuar me këtë virus.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinion publik se ashtu siç kemi raportuar në vazhdimësi, deri më tani në qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit, asnjë i burgosur nuk është prekur me virusin “Covid 19”, ndërsa kanë rezultuar pozitivisht shtatë zyrtarë korrektues”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Tutje SHKK ka dhënë detaje edhe se nga shtatë të infektuarit, pesë gardianë janë nga Qendra e Paraburgimit Mitrovicë, një nga Qendra Korrektuese Dubravë dhe një nga Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

“Nga ky numër, të shëruar janë pesë,  ndërsa dy zyrtarë janë liruar nga detyra për tu vendosur në vetë-karantinë”, ka thënë SHKK.

Gjithashtu SHKK ka njoftuar se, sipas planit operativ “Coronavirus”, me qëllim të parandalimit të përhapjes së Pandemisë Covid -19, përmes mekanizmave të brendshëm është duke vazhduar realizimin e detyrave, aktiviteteve dhe masave të parapara për ruajtjen e sigurisë, shëndetit dhe higjienës nëpër institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit.