Shtatë familje të komuniteteve pakicë në Gjakovë lirohen nga tarifat për leje ndërtimore

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, sot ka nënshkruar një memorandum me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM).

“Memorandumi parasheh që komuna e Gjakovës, të lirojë nga tarifat për leje ndërtimore personat e zhvendosur nga radhët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian të cilëve do t’u ndërtohen shtëpi banimi dhe të njëjtat do të financohen nga Bashkimi Europian dhe mbështeten nga Ministria për Komunitete dhe Kthim”, thuhet në njoftimin e komunës.

Shtatë familjet e të zhvendosurve, do të përfitojnë nga kjo marrëveshje e nënshkruar.

Gjatë ditës së sotme, Ardian Gjini, ka mbajtur një takim për ndjekjen e shkollave nga komunitetet jo-shumicë.

Në këtë takim është diskutuar për procesin e regjistrimit nëpër shkolla të nxënësve jo-shumicë si dhe vijueshmërinë e mësimit të këtyre nxënësve.

Poashtu, anëtarët e komitetit për komunitete, kanë prekur edhe temën për mbeturinat në lagjen komunitare.

Aty është diskutuar për gjendjen e ambientit dhe mbeturinave në lagjet komunitare, e poashtu edhe për kthimin dhe strehimin e qytetarëve nga komunitetet joshumicë.