Shtatë burra të arrestuar për dhunë në familje në 24 orët e fundit

Shtatë persona të dyshuar janë arrestuar në 24 orët e fundit nën dyshimin se kanë ushtruar dhunë në familje në shtatë raste të ndryshme.

Gjashtë nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, përderisa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Vetëm në njërin nga këto raste viktima është burrë, të tjerat janë gra.

Në tri raste të ndryshme, burrat që ushtruan dhunë ndaj grave kanë qenë nën ndikimin e alkoolit.

Sië thuhet në raportin e Policisë së Kosovës, rasti i parë ka ndodhur në  Mitrovicë, dje rreth orës 11:00. Policia ka thënë se kanë arrestuar të dyshuarin, i cili në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës.

“Lidhur me rastin në konsultim me prokurorin  i dyshuari është ndaluar për gjashtë (6) orë deri në këndellje dhe pastaj është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia.

Rasti i dytë raportohet të ketë ndodhur në Gjilan, rreth orës 13:30.

Tutje, sipas raportit të Policisë, është njoftuar se është arrestuar i dyshuari nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht viktimën, burrë.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raportin policor.

Rasti i tretë i dhunës në familje ka ndodhur në Pejë, rreth orës 17:00. Lidhur me rastin, sipas Policisë, është arrestuar i dyshuari nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës, grua. I dyshuari, siç njofton Policia, ka qenë nën ndikim të alkoolit me 1.94 promilë.

“Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njfotohet në raportin 24 orësh të Policisë. Rasti i katërt ka ndodhur në Gjilan, rreth orës 19:00.

Policia ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës, grua. Viktimës, Policia ka thënë se iu është ofruar trajtim mjekësor.

“Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, është thënë tutje.

Rasti i pestë është raportuar se ka ndodhur në qytetin e Gjakovës, rreth orës 19:00. Sipas Policisë, është arrestuar i dyshuari nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj viktimës, grua.

Policia ka thënë se viktimës i është ofruar trajtim mjekësor. “Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, shtoi Policia.

Rasti i gjashtë ka ndodhur në Deçan, rreth orës 21:30. Edhe në këtë rast është arrestuar një i dyshuar, i cili, sipas Policisë, në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje.

“I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njoftoi Policia.

I arrestuari i shtatë për dhunë në familje është nga Prizreni. Ai dyshohet se më 19 korrik 2022, rreth orës 00:00 kakryer veprën penale “Dhunë në familje”.

Policia ka njoftuar se lidhur me rastin, pas hetimeve të zhvilluara, dje kanë arrestuar të dyshuarin dhe me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.