Shtabi emergjent në Ferizaj, masa të reja ndaj pandemisë

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka mbledhur sot shtabin emergjent për të marrë masa të reja ndaj pandemisë Covid 19 ,

Nga shtabi emergjent i Komunës së Ferizajt u kërkua të përmbyllet brenda 24 orëve lista e kontakteve të personit të infektuar me coronavirus i cili vdiq dy ditë më parë si dhe kontaktet e kontaktit me palët e treta në mënyrë që të izolohet tërësisht mundësia e përhapjes së virusit.

Shtabi gjithashtu ka vendosur që të mos ofrohet asnjë shërbim komunal nga institucionet komunale dhe institucionet shëndetësore nëse kërkuesi i shërbimit, qytetari apo pacienti nuk është i pajisur me doreza dhe maskë,

Është udhëzuar Policia e Kosovës në Ferizaj që të nisë së gjobituri qytetarët që shkelin vendimin për frekuentimin e parqeve e zonave malore.

Masë tjetër është edhe ndalimi i qarkullimit në sheshin qendror të Ferizaj, duke krijuar kanale alternative kalimi për qytetarët që kanë domosdonë e qarkullimit dhe atë vetëm për nevoja të furnizimit me ushqime e ilaçe.

Gjithashtu nga policia u kërkua të shtojë patrullimet policore në lagje komunitare veçanërisht lagjet e komunitetit joshumicë.

Masë tjetër e re ishte edhe që të nis punën shërbimi online psikologjik i krijuar nga Komuna me profesionistët e fushës.

“Të gjitha këto masa janë të domosdoshme, që shëndeti i ferizajasve të jetë i mbrojtur” tha në fund të njoftimit kryetari Aliu.