ShSTKK-ja në mbrojtje të Teatrit në Tiranë 

Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit rreth objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë. 

 Sipas Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë, pasditen e djeshme një grup policësh të Bashkisë së Tiranës kanë tentuar të marrin nën kontroll objektin e Teatrit Kombëtar në Tiranë. 

 Por, janë penguar nga aktorët e teatri dhe qytetarët, të mbledhur rreth Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

 Ky veprim i Bashkisë së Tiranës ka rindezur gjakrat duke kthyer tensionet dhe përplasjet në mes të Bashkisë dhe mbrojtësve të objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë. 

 Duke u nisur nga kjo situatë ShSTKK-së përmes një reagimi ka kërkuar nga institucione në Tiranë që, siç thuhet në reagim, të ndalin provokimet dhe përpjekjet për rrënimin e objektit të Teatrit Kombëtar të Tiranës. 

 “Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, është e tronditur më lajmin për tentim – invadimin e objektit të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, më qëllim të rrënimit të tij nga persona të autorizuar prej Bashkisë së Tiranës dje pasdite me datë 13.05.2020. ShSTKK-së e konsideron të papranueshëm faktin që një grup njerëzish të veshur më pushtet politik, në mënyrë arbitrare të bartin pronësinë publike të një objekti historik nga një institucion në tjetrin më qëllim të rrënimit të tij, pa marrë në radhë të parë pelqimin nga artistët dhe qytetarët e vendit”, thuhet në reagimin e ShSTKK-së. 

“Këto  mësymje po ndodhin në një moment kur Qeveria, Bashkia e Tiranës dhe institucionet tjera të shtetit shqiptar, do të duhet të ishin të përqendruara më të gjitha kapacitetet, në luftën për ruajtën e jetërave të qytetarëve nga pandemia COVID-19 dhe jo të provokojnë reagim gruporë qytetarë, në kundërshtim më rregullat për parandalimin e shpërndarjes së kësaj sëmundjeje”, thuhet në reagim. 

Paradoksalit, thuhet më tej në reagimin e ShSTKK-së, këto orvatje vijnë edhe përkundër hyrjes së kësaj godine, në listën përfundimtare të objekteve të trashëgimisë europiane më me prioritet për t`u restauruar nga ana e organizatës Europa Nostra”, thuhet në reagim. 

“Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke qenë saktësisht e pozicionuar në krah të ruajtjes së kësaj godine dhe në përkrahje të artistëve e qytetarëve që janë vënë në mbrojtje të saj, pret nga institucionet e shtetit shqiptar që ta ndalin luftën e pakuptimtë për rrënim, tashmë kur kjo godinë është fortifikuar edhe më mure të forta morale, të pa kapërcyeshme për analet e historisë”, thuhet në reagimin e ShSTKK-së. 

 Ka më shumë se dy vjet që autoritetet shtetërore dhe ato bashkiake në Tiranë  janë duke planifikuar rrënimin  e objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Por, kanë hasur në kundërshtimin e fortë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit që mbledhë aktorët e këtij teatri dhe shoqërinë civile.