SHSKUK: Qentë endacakë në oborrin e QKUK-së shqetësim, institucioneve u bëjmë thirrje për adresim të çështjes

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) përmes një njoftimi janë shprehur se prania e qenve endacakë në oborr të QKUK-së paraqet shqetësim për stafin e qytetarët dhe se për këtë çështje i kanë kërkuar komunës së Prishtinës dhe institucioneve tjera të bëjnë zgjidhje.

Këtë thirrje ata e përsëritën prapë në mënyrë publike duke theksuar se me legjislacion, SHSKUK nuk ka kompetencë në trajtim të kësaj çështje.

“Duke marrë parasysh faktin se me legjislacionin në fuqi, ShSKUK, nuk ka kompetencë të trajtojë këtë çështje, disa herë i jemi drejtuar Komunës së Prishtinës, përfshirë edhe ditën e sotme që është përsëritur kjo kërkesë. Mes tjerash ShSKUK, në kërkesë ka kërkuar që me prioritet të trajtohen qentë endacakë në oborrin e QKUK, meqë ka frekuentim të madh të pacientëve, familjarëve dhe qytetarëve të tjerë”- thuhet në njoftim.

“Komunës i është kërkuar që të ofrojë zgjidhje të shpejtë, qoftë përmes strehimoreve, apo trajtimit të tyre. Andaj, edhe përmes këtij apeli publik, i bëjmë thirrje Komunës së Prishtinës dhe institucioneve tjera të bëjnë zgjidhje të shpejtë për këtë çështje”- thuhet më tej në njoftim.

Derisa, komuna e Prishtinës përmes një komunikate ka bërë të ditur se të mërkurën, më 11.09.2024 do mbajë ceremoninë e hapjes se qendrës për trajtim te qenve endacakë.

Sipas komunës, kjo qendër do kontribuojë në reduktimin e numrit të qenve në rrugë.

“Kjo qendër e re do të luajë një rol të rëndësishëm duke ofruar një sistem të strukturuar dhe të specializuar për kujdesin dhe rehabilitimin e qenve endacakë. Ajo do të kontribuojë në reduktimin e numrit të qenve në rrugë, përmirësimin e shëndetit të tyre dhe promovimin e mirëqenies së kafshëve. Gjithashtu, qendra do të ofrojë mundësi për adoptim dhe do të krijojë një ambient të sigurt dhe mbështetës për qen të braktisur”- thuhet nga komuna.

Ditë më parë një qytetarë ishte sulmuar nga qentë endacakë në kryeqytet, derisa për rastin kishte reaguar edhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, duke shprehur keqardhje por edhe dhënë lajmin për qendrën e parë për trajtim që do hapej në Prishtinë.

Nënkryetari Zogaj shpreh keqardhje për lëndimet që mori një qytetar nga qentë endacakë, njofton për hapjen e qendrës për kafshët e pastreha në Prishtinë