ShSKUK përdori procedurë të negociuar për tenderë edhe kur s’kishte emergjencë

Shërbimi Spitalor Universitar i Kosovës ka përdorur procedurën e negociuar për tenderit- ‘pastrimi i brendshëm i klinikave të QKUK-së’, ndonëse nuk ka pasur emergjencë shëndetësore.

Sipas auditorit kjo procedurë mund të përdoret vetëm në rastet e emergjencave ekstreme të paparashikueshme.

Në gjetjet e auditorit thuhet se kjo procedurë ka treguar mos-transparencë dhe nuk ka lejuar parimin e konkurrencës, duke qenë se pastrimi i brendshëm i klinikave është ngjarje e parashikueshme dhe mund të aplikohet procedurat e hapur e prokurimit.

Në raportin e auditorit thuhet tutje se QKUK për përdorimin e kësaj procedure është arsyetuar se ky tender për pastrimin e brendshëm është bërë në bashkëpunim me Ambasadën Italiane dhe se nuk kanë pasur kohë për hartimin e specifikave teknike.

Sipas raportit të Auditorit aplikimi i kësaj procedure është shmangie nga parimet e transparencës dhe konkurrencës, dhe ndikon në eliminimin e konkurrencës dhe rrjedhimisht edhe kufizon mundësinë e pranimit të më shumë ofertave me një çmim më të ulët.

“Neni 35.2.1(iii) i LPP parasheh që kjo procedurë aplikohet në rastet e emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues. Aplikimi i kësaj procedure është shmangie nga parimet e transparencës dhe konkurrencës, dhe kjo ngjarje ka qenë e parashikueshme në plan të prokurimit dhe nuk ka ndodhur ndonjë ngjarje që do të mund të arsyetonte aplikimin e saj”, thuhet në raport.

Auditori i ka rekomanduar bordit Bordit Drejtues dhe Drejtorit i Përgjithshëm që të sigurojnë se procedurat e prokurimit të fillojnë sipas planit për kontratat që pritet të skadojnë, si dhe të marrin në konsideratë të gjitha pengesat dhe vonesat e mundshme në mënyrë që kontrata të lidhet para skadimit të kontratës aktuale.

Ky tender ka pasur vlerën 362,705 euroshe dhe ka pasur afat kohor tre mujor. Ky tender sipas raportit me plan të prokurimit ishte paraparë të filloj në Prill 2019 por që ishte vonuar inicimi i procesit deri në nëntor kur edhe përfundonte kontrata paraprake.