Klinika e Onkologjise. Foto: SHSKUK
ShSKUK: Për nëntë muaj 335 raste me kancer të gjirit, mbi 50 për qind u diagnostifikuan herët
Në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), janë trajtuar 335 raste me kancer të gjirit gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2024, prej të cilave 332 janë gra dhe 3 burra.
Sipas një njoftimi të Shërbimit Spitalor Klinik (SHSKUK) këto raste përbëjnë 22 për qind të rasteve të sëmundjeve malinje të regjistruara deri në muajin shtator 2024.
“Një aspekt pozitiv është se 52% e rasteve janë diagnostikuar në fazën e hershme (stadet I dhe II), çka tregon për ndërgjegjësimin në rritje ndaj kancerit të gjirit në Kosovë”- thuhet në njoftim.
Tutje, SHSKUK thekson se të gjithë pacientet janë trajtuar në Klinikën e Onkologjisë, sipas protokolleve ndërkombëtare, me barna; si citostatikë, terapi biologjike, hormonale, terapi të mençur, dhe radioterapi me teknika si IMRT dhe C-RAD.
“Trajtimi përfshin fazat neoadjuvante ( lloj i trajtimit që jepet para operacionit, zvogëlon tumorin), adjuvante (trajtimi pas ndërhyrjes kryesore, si operacioni për të ulur rrezikun e rikthimit të kancerit). Si dhe metastatike, (kancer që përfshinë dhe pjesë të tjera, i shpërndarë)”- theksohet më tej në njoftim.
Klinika e Onkologjisë në njoftim potencon se “ofron shërbime pa lista pritjeje për onkologji dhe radioterapi, si dhe nuk ka referime për trajtim jashtë vendit”.
Tetori është muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.