QKUK

ShSKUK nuk e trajtoi si të barabartë stafin administrativ, disa punëtorë nuk përfituan nga Pakoja Emergjente

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës nuk ka trajtuar barabartë stafin administrativ në lidhje me përfitimin e shtesave nga Pakoja Emergjente e Qeverisë.

Sipas auditorit, gjatë analizës si dhe konfirmimit nga ana e personave përgjegjës nga të gjitha programet është vërejtur mostrajtim të barabartë të stafit ku në disa raste janë paguar shtesat për të gjithë stafin e në disa të tjera jo.

Auditori ka gjetur se në QKUK janë paguar shtesat për të gjithë stafin (përfshirë stafin administrativ), ndërsa punonjësit e administratës së SHSKUK – së nuk kanë përfituar shtesa. Po ashtu auditori ka gjetur se në Spitalet e Përgjithshme Vushtrri dhe Ferizaj janë paguar shtesat edhe për një pjesë të administratës ndërsa në spitalet tjera nuk kanë përfituar shtesa pjesa e administratës.

Në raport tutje thuhet se në QKUK janë paguar shtesat për të gjithë stafin dhe në Qendrat e Shëndetit Mendor janë paguar shtesat edhe për pjesën e administratës.

ShSKUK është arsyetuar te auditori se kjo kishte ndodhur si rezultat i mos interpretimit të drejtë të vendimit të Qeverisë.

Mostrajtimi i barabartë i stafit rreth pagesës së shtesave për COVID-19 mund të ndikojë në menaxhimin jo të duhur të pakos fiskale si dhe mund të krijojë shpenzime pa mbulesë ligjore në buxhetin e dedikuar për paga.

Sipas pikës 1.6 të vendimit 01/2019 datë 30.03.2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës i ndryshuar me vendimin 06/25 datë 17.04.2020, Aprovohet Pakoja Emergjente Fiskale “Sigurimi i shtesës mbi pagë në vlerë prej 300€ për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të infektimit në punën e tyre (jo i gjithë stafi i institucionit): Stafi mjekësor dhe mbështetës (mjekët, infermierët dhe personeli tjetër i ekspozuar rrezikut)”. Gjithashtu sipas Vendimit 31-2/2020 datë 27.04.2020 të Ministrit të Financave dhe Transfereve për Planin Operacional për Pakon Fiskale Emergjente stafi administrativ nuk mund të përfitojë shtesa.

Auditori i ka thënë rekomandim Bordit Drejtues dhe Drejtorit të Përgjithshëm duhet të merr masa të menjëhershme që të sigurojnë zbatimin e vendimit të Qeverisë në mënyrë të saktë.

ShSKUK ka shpenzuar 12,472,336€ për shpenzimet që lidhen me menaxhimin e pandemisë COVID nga Pako Emergjente Fiskale. Shpenzimet në vlerë 12,456,045€ janë paguar nga kategoria e pagave për shtesat mbi pagën bazë, ndërsa pjesa tjetër prej 16,291€ janë paguar nga mallrat dhe shërbimet për furnizime mjekësore dhe dezinfektues. Gjithashtu sipas PFV janë pranuar si donacione nga palët e treta për shpenzimet e COVID 2,823,759€ për barna dhe material harxhues.