Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
ShSKUK njofton se janë shtuar rastet që kanë kërkuar trajtim pas kafshimeve nga qentë
Është rritur numri i rasteve që kanë kërkuar trajtim mjekësor në Klinikën Emergjente pasi që janë kafshuar nga qentë endacakë.
Nga 84 raste të tilla që ishin trajtuar gjatë vitit të kaluar, këtë vit, deri më tani janë trajtuar 112 raste.
“Nga 1 janari deri më tani janë regjistruar 112 raste që kanë pësuar dëmtime të ndryshme trupore, përfshirë edhe raste me lëndime më të rënda që rrezikojnë jetën, e që janë spitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën Infektive” – ka njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK).
ShSKUK të martën i ka bërë thirrje publike Komunës së Prishtinës që ta trajtojë me prioritet problemin me qentë endacakë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi që disa prej kafshimeve kanë ndodhur edhe në oborrin e këtij institucioni.
Sot, Komuna e Prishtinës ka bërë hapjen e qendrës për trajtim dhe strehim të qenve endacakë në Hajvali.
I pari i Prishtinës, Përparim Rama deklaroi se ky projekt është vazhdim i punës së komunës për zgjidhje të problemit të madh me qentë endacakë.