FOTO: ShSKUK, Facebook

SHSKUK nis për herë të parë Programin që mundëson zbulimin e hershëm të disa sëmundjeve metabolike te të porsalindurit

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se për herë të parë në Kosovë ka filluar me “Skriningun Neonatal Metabolik” – një Program i cili mundëson zbulimin e hershëm të sëmundjeve të rënda metabolike dhe gjenetike te të porsalindurit.

SHSKUK-ja ka theksuar se ky shërbim mundëson zbulimin e hershëm të sëmundjeve si: hipotiroidizmi kongjenital, fenilketonuria, fibroza cistike, galaktozemia dhe atrofia muskulare spinale (SMA).

“Ky është një hap i madh përpara në kujdesin shëndetësor për foshnjat tona dhe një arritje e rëndësishme për sistemin shëndetësor në vend. Ky thjeshtë kryhet brenda 24 deri në 48 orë pas lindjes dhe ndihmon në diagnostifikimin e hershëm të sëmundjeve që mund të mos shfaqin simptoma menjëherë, por që mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës.” – thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Në Klinikën e Nenatologjisë në QKUK dhe në Spitalet rajonale ka filluar trajnimi i stafit shëndetësor për zbatimin me sukses të këtij Programi.