Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ShSKUK: Në 4 spitale të përgjithshme nuk ka pacientë me COVID-19

Spitali i Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës dhe Vushtrrisë, nuk kanë pacientë me COVID-19. Ndërkaq, në tërë Shërbimin Spitalor Klinik  Universitar të Kosovës, në trajtim janë 42 pacientë, prej tyre 12 të konfirmuar me Covid-19 dhe 30 me post-COVID, ka njoftuar ShSKUK-ja.

Sipas njoftimit, me oksigjeno-terapi janë 12 pacientë, përderisa në mjekimin intensiv të Klinikës Infektive ka 2 pacientë.

Numri i pacientëve me COVID-19 dhe post-COVID, sipas klinikave COVID-19 dhe spitaleve të përgjithshme është si në vijim: Klinika Infektive, 4 pacientë, Klinika e Pulmologjisë, 27 pacientë post-COVID-19, Mjekimi Intensiv në Klinikë Infektive, 2 pacientë, Spital i Pejës, 2 pacientë, Spitali i Gjakovës, 6 pacientë, Spitali i Ferizajt, 2 pacientë.

Të enjten, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se 11 persona kanë rezultuar të infektuar me SARS-CoV-2 nga 1 mijë e 498 testime të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ndërsa nuk është shënuar asnjë rast i vdekjeve.

Në raportin 24 orësh të ministrisë po ashtu bëhet e ditur se 16 qytetarë të tjerë janë shënuar dhe numri i të shëruarve ka arritur në 157 mijë e 605 qytetarë.

Aktualisht në nivel vendi janë 400 raste aktive me coronavirus.