Foto: ShSKUK/Facebook

ShSKUK: Në 2024 ka rritje të numrit të rasteve të foshnjave që kanë lindur para kohe

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se është shënuar rritje në numrin e rasteve të foshnjave që kanë lindur para kohe dhe që kanë pasur nevojë për trajtim pas lindjes në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas njoftimit të ShSKUK-së, nga data 01.01.2024 deri më tani, në Klinikën e Neontalogjisë në QKUK janë trajtuar 430 foshnje, numri i të cilave ShSKUK vlerëson se është në rritje krahasuar me vitet tjera.

“Këto foshnje janë trajtuar për Asfiksioni Perinatal (mungesë e oksigjenit para dhe pas lindjes), prematuritet (lindje para kohe), me komplikime, anomali të ndryshme kirurgjike, neonatale, anomali neurokirurgjike e që trajtohen para dhe pas operimit të tyre, dhe infeksionet e ndryshme” – thuhet në njoftimin e ShSKUK, më 31.07.2024.

Po ashtu, ShSKUK ka njoftuar se stafi i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK me sukses po trajton edhe rastet e prematurëve – foshnjave të lindura para javës së 36-të të shtatzënisë, deri tek prematurët me peshë ekstreme të lindjes, 500-999 gramë.

Sa i përket trajtimit të këtyre rasteve, të cilat ShSKUK konsideron se janë të predispozuara ndaj shumë komplikimeve për shkak të papjekurisë së gjithë sistemeve, bëhet sipas protokolleve bashkëkohore duke filluar që nga dhënia e kortikoideve nga ana e gjinekologë-obstetërve, deri tek mbështetja respiratore, jo-invazive dhe invazive.

“Një nga manifestimet e prematuritetit (lindjes para kohe) është edhe kriza e apnesë (ndërprerja e frymëmarrjes), këto foshnje trajtohen me CPAP (Presion i vazhdueshëm pozitiv i rrugëve të frymëmarrjes), në të tilla raste ndihmon ampula Caffeine Citrate, por jo të gjithë rastet kane nevojë për këtë lloj trajtimi. Në disa raste përveç Caffeine Citrate, përdoret ampula Aminophylinë, si terapi alternative” – kanë njoftuar nga ShSKUK.

Sipas të dhënave që ka ndarë ShSKUK, 175 foshnje të lindura parakohe prej javës 28 deri 33 të shtatëzanisë kanë manifestuar kriza të apnesë (ndërprerje të frymëmarrjes) e që janë trajtuar me ampulën Caffeine Citrate ose ampulën Aminophylinë.

Kurse, pjesa tjetër e foshnjave kanë qenë të lindura nga java 34 e shtatzënisë.

“Ndërsa foshnje të lindura prej javës 34 deri në 36 të shtatzënisë kanë qenë 255, ku prej tyre 50 foshnje kanë pasur përkrahje me Caffeine Citrate, ose Ampula Aminophylinë” – kanë shtuar nga ShSKUK.

Si rrjedhojë, ShSKUK ka theksuar se kanë arritur t’i sigurojnë të dy këto ampula, por për shkak të shpenzimit përtej planifikimit, ampula Caffeine Citrate ka munguar disa ditë, e që është zëvëndësuar si alternativë me ampulën Aminophylinë.