QKUK, Klinika Kirurgjike

ShSKUK ndryshon pa bazë ligjore kontratën për sigurimin e objekteve, paguan mbi 100 mijë euro më shumë

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka ndryshuar pa bazë ligjore kontratën për “Sigurim të objekteve të QKUK-së”.

Sipas gjetjeve të auditorit, ky ndryshim i ka shkaktuar humbje ShSKUK-së 155,568 euro, të cilat ishin paguar jashtë kontratës bazë.

raportin e auditorit thuhet se sipas kontratës jo kornizë të datës 14 nëntor 2019 për tre muaj me mundësi vazhdimi deri në zhvillimin e procesit për lidhjen e kontratës së re për “Sigurimin fizik të objekteve të QKUK”, vlera e shërbimeve është 97,633.65€ në muaj, dhe ky çmim duhet të jetë e vetmja pagesë që QKUK i ka borxh Ofruesit të Shërbimeve sipas kontratës. Ai duhet të jetë i prerë dhe të mos i nënshtrohet ndryshimeve.

Por, një muaj më pas, saktësisht me datën 19 dhjetor 2019 ishte bërë ndryshim plotësimi i kontratës bazë.

Me këtë ndryshim, me kërkesë të menaxherit të kontratës ishte shfuqizuar çmimi total me TVSH, ku do të mbizotërojë çmimi për njësi (orë pune me TVSH), të gjitha kushtet tjera mbesin të njëjta si në kontratën bazë. Ky ndryshim kishte shkaktuar pagesa të shërbimeve të realizuara për orë pune shtesë sipas kërkesës nga drejtorët e disa Klinikave të QKUK – së.

Sic thuhet në raportin e auditorit, zyra e prokurimit nuk kishte kërkuar vazhdimin e sigurimit të ekzekutimit të kontratës, krahas shtyrjes së periudhës së ekzekutimit apo periudhës, se sa kontrata ishte aktive. Sigurimi i ekzekutimit ishte i vlefshëm deri më 27 qershor 2020, derisa kontrata kishte zgjatur deri në shkurt 2021, si pasojë e ankesave të operatorëve ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Sipas Auditorit, ndryshimi i çmimit të përcaktuar paraprakisht në kontratën bazë ka ndikuar në pagesa jashtë kontratës bazë si dhe ka paraqitur mungesë të kontrollave dhe menaxhim të dobët të kontratës.

Auditori ka rekomanduar bordin drejtues dhe drejtorin e përgjithshëm se duhet të sigurojnë që të zhvillohen procedurat adekuate të prokurimit në mënyrë që të evitohen pagesat jashtë kontratës bazë.