Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës - ShSKUK

ShSKUK me mbi 300 ushtrues detyre

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka mbi 300 ushtrues detyre nëpër pozita udhëheqëse, teksa numëron mbi 7 mijë punonjës.

Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, tha se ka kërkuar që të hapen konkurset për krejt këto pozita, ndonëse vetë s’e ka hapur konkursin për drejtor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) që është po ashtu me ushtrues detyre tash e nëntë muaj.

“Mbi 300 ushtrues detyre janë në krejt sistemin. Nuk flasim vetëm për nivele të larta por edhe për nivele të ulëta” – tha Azizi në mbledhjen e Bordit të ShSKUK-së, të mbajtur të mërkurën, më 30.10.2024.

Azizi deklaroi se QKUK-ja ka më së shumti ushtrues detyre si institucioni më i madh. Me këtë rasti, ai nuk e mohoi se ka të tillë që kanë kaluar cdo afat ligjor të mundshëm në këto pozita.

Drejtori informoi se njësia e burimeve njerëzore është në proces të përgatitjes së konkurseve për këto pozita.

ShSKUK ka nën mbikëqyrje QKUK-në dhe spitalet rajonale si dhe njësi të tjera, si qendrat e shëndetit mendor, Qendrën Klinike Stomatologjike, Qendrën Integruese Rehabilituese e të Sëmurëve Kronik Psikiatrik në Shtime, Qendrën e Telemjekësisë, Qendrën e Mjekësisë Sportive e të tjera.

Çka thotë Ligji për Zyrtarët Publikë? 

Ligji për Zyrtarët Publikë, neni 35 thotë se zyrtari publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre për më gjatë se 6 muaj. E ky afat mund të zgjatet më së shumti edhe 6 muaj të tjerë, kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit të parë.

“Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i i/e detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni, është i paligjshëm” – thuhet në këtë ligj.

Megjithatë në ShSKUK e jo vetëm ka pozita që udhëhiqen nga ushtrues detyre për vite të tëra.

Çështja e ushtruesve të detyrës nëpër institucione është ngritur edhe nga Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri më 27.09.2024.

Ai tha se shteti mund të bie në blllokadë shtetërore dhe se rrezikojnë që vendimet që ata marrin pas këtij afati, të konsiderohen si të jashtëligjshme.

Shëndetësia ‘në duar’ të ushtruesve të detyrës

Lënia e institucioneve të shëndetësisë “në duar” të ushtruesve të detyrës është praktikë e parë shpesh, pavarësisht debateve rreth efektivitetit të punës së tyre.

Për gati një vjet, nga gushti 2022 deri në korrik 2023, institucioni më i madh shëndetësor, ShSKUK-ja ka pasur në krye dy ushtruese të detyrës, deri në përzgjedhjen e Elvir Azizit përmes konkursit më 05.07.2023.

Spitali i Ferizajt që tri vjet ka ndërruar katër ushtrues detyre dhe vazhdon të drejtohet nga një i tillë, pasi që në konkursin që u hap në shkurt të këtij viti, asnjë prej kandidatëve nuk e kaloi testin.

As Spitali i Mitrovicës nuk ka drejtor të rregullt prej nëntorit 2023. Në konkursin për drejtor të këtij spitali, nuk pati asnjë të interesuar.