Foto: ShSKUK/Facebook
ShSKUK lidh memorandum mirëkuptimi për trajnimin e edukimin e stafit shëndetësor
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka nënshkruar memorandum të mirëkuptimit me Projektin Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), të implementuar nga Qeveria e Zvicrës.
Memorandumi ka për qëllim fuqizimin, trajnimin dhe edukimin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor në nivel spitalor në Kosovë.
Sipas ShSKUK-së, fokus të vecantë kanë te spitalet e përgjithshme në Gjakovë dhe Pejë, të cilët janë partnerë të projektit IHS.
“Bashkëpunimi hap rrugën për të rritur kapacitetin e punonjësve të kujdesit shëndetësor për të parandaluar, menaxhuar dhe trajtuar sëmundjet kronike jo/ngjitëse (SKJ), duke mbështetur mirëqenien e pacientëve në mbarë Kosovën” – thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
Mbështetja e pamjaftueshme për edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm të stafit shëndetësor është përmendur në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike.
Sipas raportit, Ministria nuk ka siguruar mbështetje të mjaftueshme për edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm të stafit shëndetësor, për t’u siguruar që ata janë të përditësuar me përparimet dhe praktikat e fundit mjekësore.