SHSKUK kërkon nga drejtori i Klinikës së Otorinolaringologjisë të merren masa ndaj logopedit nga Gjilani

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) njofton se pas publikimit të rastit të logopedit nga Gjilani, i cili po dyshohet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj një pacienteje të mitur, ka kërkuar nga drejtori i Klinikës së Otorinolaringologjisë që të procedojë me ndërmarrjen e masave konform legjislacionit në fuqi ndaj mjekut të dyshuar, i cili është edhe u.d. shefi i defektologjisë në Klinikën e Otorinolaringologjisë.

“Për ShSKUK është e dënueshme dhe e pa pranueshme sjellja e tillë e një profesionisti shëndetësor, andaj siç e theksuam presim që drejtori i Klinikës së ORL-së të ndërmarrë masat e nevojshme konform legjislacionit në fuqi” – thuhet në reagimin e SHSKUK-së.

Lidhur me pretendimet se mjeku i dyshuar nuk kishte licencë pune, sipas SHSKUK-së lëshimi i licencave është në kompetencë të odave përkatëse, Odës së Mjekëve për mjekë dhe Odës së Infermierëve për profilet e tjera.

“Mungesa e një databaze elektronike për stafin e ShSKUK, e vështirëson përcjelljen në kohë reale të punës, avansimeve dhe mungesave eventuale të stafit. Për këtë arsye, memaxhmenti i ShSKUK, para 2 jave ka filluar procesin e digjitalizimit të të dhënave të stafit të saj” – thuhet tutje në reagim.

Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar paraburgim për dy personat e dyshuar për lëndim trupor ndaj doktorit në Gjilan. Të njëjtën masë Prokuroria e ka kërkuar ndaj mjekut, i cili po dyshohet për veprën penale – trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Dosja e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon se e tërë ngjarja për të cilën janë ndaluar 3 të dyshuarit ka ndodhur brenda 3 orëve dje në Gjilan.

Sipas dosjes, njëri i dyshuar I.Sh. e kishte dërguar vajzën e tij 3-vjeçe për trajtim te mjeku logoped.

Në ordinancën e tij private mjeku I.F. dyshohet se ndaj pacientes 3-vjeçare ka përdorur fjalë ofenduese dhe denigruese.

“I njëjti ndaj të njëjtës ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe denigruese, ku ndër të tjera duke bërtitur me tone të larta i ka thënë “ik..ik atje…Ti koke budallicë…ta q…bota nanën”.

Këto janë fjalët që dyshohet se mjeku I.F. i ka përdorur ndaj pacientes.

Për këtë mjeku po dyshohet për veprën penale – trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.

Një audio-incizim nga ky rast është publikuar sot në media online.

Sipas dosjes së Prokurorisë, rreth tri orë pas ngjarjes në ordinancë, babai i 3-vjeçares I.Sh. dhe daja i saj R.V., e kanë gjetur mjekun në një kafeteri në Gjilan dhe e kanë sulmuar fizikisht.

Ata po dyshohen për veprën penale – lëndim i lehtë trupor.

Mediat kanë publikuar pamje nga sulmi fizik ndaj mjekut.