ShSKUK: Kërcënohet drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se dje në vendin e punës, derisa po mbante kujdestarinë, është kërcënuar dhe fyer doktoresha e Klinikës së Neonatoligjisë, Hajrije Ismaili.

Sipas njoftimit, kërcënimi ka ndodhur nga axha i një foshnjeje, i cili është duke u trajtuar në klinikë.

“Kërcënimi ka ndodhur nga axha i një foshnjeje, i cili është duke u trajtuar në klinikë. Sipas rregullit të klinikës, të drejtë në informatë kanë vetëm nënat dhe baballarët, çdo ditë nga ora 12:00 deri në 13:00”- thuhet në njoftim.

ShSKUK ka dënuar kërcënimin ndaj doktoreshës Ismaili, duke kërkuar nga organet kompetente të ndërmarrin masa ndaj kërcënuesit.

Sipas njoftimit, Hajrije Ismaili është drejtoreshë e Klinikës së Neonatoligjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).