Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
ShSKUK-ja arsyetohet për mos-pagesën e shtesave prej 300 euro për punonjësit shëndetësorë
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) përmes një komunikate për media ka thënë se arsyeja e vonimit të pagesave për shtesat prej 300 eurove për punonjësit shëndetësor, është sepse ka pasur mospërputhshëri me kriteret e vendimit të Qeverisë dhe udhëzimet e saj.
Sipas tyre, për këtë arsye ShSKUK si organizatë buxhetore i ka kthyer listat që të rishikohen nga menaxherët edhe një herë.
Sipas njoftimit, përderisa nuk bëhen rishikimet e duhura në këto lista, nuk do të mund të kryhen pagesat.
“Siç dihet, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtesa mujore në vlerë prej 300 euro ka të bëjë me mjekët, infermierëve dhe teknikëve të cilët janë marrë drejtpërdrejt me trajtimin e pacientëve me Covid-19 dhe me kategoritë e profesionistëve nga institucionet si: IKShPK-ja, Qendrat e Transfuzionit të Gjakut, Departamenti i Shëndetësisë në Burgje, ShSKUK dhe Spitalet e Përgjithshme dhe QKMF-të”, thuhet në njoftim .
Organizatat buxhetore të cekura më lartë janë përgjegjëse të përgatisin dhe aprovojnë me shkresë listat e personelit të tyre shëndetësor dhe të njëjtat t’i përcillen Ministrisë së Shëndetësisë, e cila më pas i verifikon dhe i përcjell ato lista në Ministrinë e Financave.