Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ShSKUK deklarohet për furnizimin me ilaçe për pacientët me kancer

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka deklaruar se Klinika e Onkologjisë ka një furnizim stabil me barna e citostatikë dhe përmbush 80 për qind të kërkesave, derisa sipas tyre, po punohet me angazhim të plotë që të sigurohet edhe pjesa tjetër.

KALLXO.com ka raportuar të mërkurën se pacientët me kancer që marrin trajtim në Klinikën e Onkologjisë së QKUK-së, po përballen me mungesë të medikamentit “Avastin Bevacizumab”, i cili është në listën e barnave esenciale që përdoren për trajtimin e sëmundjes.

Kurse, ShSKUK ka theksuar se Shërbimi i Radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është plotësisht funksional.

“Shërbimi i Radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është plotësisht funksional.
Aktualisht, kësaj porcedure i nënshtrohen më shumë se 90 pacientë, kurse pacientët që janë në pritje, trajtohen sipas listës së planifikuar nga mjekët onkologë. Në bazë të raportit të sotëm, Klinika e Onkologjisë ka një furnizim stabil me barna e citostatikë dhe përmbush 80% të kërkesave, derisa po punohet me angazhim të plotë që të sigurohet edhe pjesa tjetër”, thuhet në njoftim.

“Gjithashtu, menaxhmenti i SHSKUK-së, i emëruar së fundmi, është duke punuar intensivisht për të hartuar protokollet unike, në bazë të të cilave do të bëhet trajtimi.
Përshkrimi i terapisë, ndërkaq, do të bëhet vetëm përmes konsiliumeve mjekësore, që janë kompetente për përshkrim të terapisë onkologjike”, theksohet tutje.

Familjarë të pacientëve kanë raportuar në KALLXO.com se tash e disa javë trajtimi mjekësor nuk është duke shkuar sipas planit të paraparë terapeutik.

Medikamenti “Avastin Bevacizumab”, përdoret për  kancerin e zorrës së trashë, mushkërive dhe disa lloje të tjera të kësaj sëmundje.

Pacientët me kancer përballen me mungesë të ilaçit  ‘Avastin Bevacizumab’