Ilustrim

ShSKUK: 38 pacientë me COVID-19 janë me oksigjeno-terapi

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka bërë të ditur se janë të shtrirë 72 pacientë në klinikat e QKUK-së si dhe në spitalet e përgjithshme.

ShSKUK ka shtuar se prej tyre 43 pacientë janë të konfirmuar me COVID-19 pozitivë dhe 29 të tjerë post-COVID.

Tutje është bërë e ditur se me oksigjeno-terapi janë 38 pacientë, kurse në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive janë të shtrirë 3 pacientë.

“Raporti sipas klinikave dhe spitaleve të përgjithshme: Klinika Infektive, 10 pacientë, Klinika e Pulmologjisë, 23 pacientë post-covid, Mjekim Intensiv në Klinikë Infektive, 3 pacientë”, thuhet më tej në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se në Spitalin e Gjakovës janë 5 pacientë, në atë të Pejës 8 pacientë, në Prizren 6 pacientë, në Spitalin e Mitrovicës po ashtu 6 pacientë si dhe në Ferizaj 3 pacientë.

Rastet me COVID-19 ditëve të fundit në vend janë duke u rritur.

Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 658 raste të reja me coronavirus, pas testimit të 6 mijë e 8 mostrave. Ndërsa, 3,837 persona janë ende aktivë me COVID-19.