Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ShSKUK: 232 pacientë janë në trajtim nga COVID-19

Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës trajtim mjekësor po marrin 232 pacientë, 219 janë të konfirmuar me COVID-19 pozitivë, 9 të negativizuar dhe 4 të tjerë të pakonfirmuar.

ShSKUK ka njoftuar se 152 pacientë janë me oksigjeno-terapi, në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive janë 16 pacientë.

Raporti sipas klinikave dhe spitaleve të përgjithshme, sipas ShSKUK është: Klinika Infektive,77 pacientë, Mjekimi Intensiv i Klinikës Infektive,16 pacientë, Klinika e Pediatrisë,10 pacientë, Klinika e Gjinekologjisë,12 pacientë, Spitali i Prizrenit, 20 pacientë, Spitali i Pejës, 25 pacientë, Spitali i Gjakovës,24 pacientë, Spitalit Mitrovicës,16 pacientë, Spitali i Ferizajt, 8 pacientë, Spitali i Gjilanit, 23 pacientë.

Në total numri i rasteve aktive në Kosovë është 30 mijë e 871.

Në Kosovë është paralajmëruar lehtësimi i masave kundër COVID-19 pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin e pandemisë.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë para mediave se kanë vendosur të lehtësojnë masat, në bazë të atyre që kanë qenë në fuqi deri më tani.

“Ato (masat) kanë treguar efekt shumë të mirë. Kështu që ne do t’i lehtësojmë shumicën prej këtyre masave, ne i kemi propozuar sepse Qeveria duhet t’i aprovojë. Hyrja në kufi do të jetë nëse i ka dikush të dyja vaksinat, nëse e ka vetëm një duhet të ketë test. Ora policore është shtyrë deri në 12 të natës dhe fitneset do të hapen”, tha ai të enjten.

Lehtësimi i masave pritet të hyjë në fuqi nga dita e shtunë pas miratimit nga ana e Qeverisë së Kosovës.