Shqyrtohet raporti vjetor i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka shqyrtuar Raportin vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, për vitin 2020.

Gjatë këtij shqyrtimi, deputeti i PDK-së dhe zëvendëskryesues i këtij komisioni, Mërgim Lushtaku tha se gjatë qeverisjes Kurti 1, ka pas shkarkime të jashtëligjshme.

“Gjatë ardhjes së qeverisë Kurti 1 ka pas shkarkime të jashtëligjshme, po rezulton se pozitat e larta janë shkarku jashtë ligjshëm”, tha Lushtaku.

Eshref Shabani, kryetar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, tha se në vendimin kur qeveria e ka bërë ristrukturimin e pozitave të larta Këshilli nuk ka qenë funksional.

“Dhe asnjëri prej të goditurve me atë vendim nuk ka ardh m`u anku me afat. Gjitha ankesat janë hedh sepse ankesat kanë qenë jashta afatit ligjor”, tha Shabani.

Kryesuesja e komisionit Doarsa Kica, kërkoi nga deputeti Lushtaku që të rezervohet nga deklaratat politike.

“Do të doja të kursehesha për vendimet e jashtligjshme të qeverive sepse po hapen tema, nuk do të doja ta politizojmë. Dakordimi i komisioneve është që këtu më së paku të bëhet politikë. Të kursehemi nga deklarimet e tilla”, tha ajo.

Deputeti Lushtaku tha se do ta ketë në konsideratë.

Fitim Haziri, anëtar i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se kur kryetari e ka marr detyrën në Këshill, kanë trashëgu numër të madh të lëndëve. Ai ka kërkuar të dij si ka vendos Këshilli me i trajtu këto lëndë.

“Cilat lëndë keni vendos m`i trajtu më së pari”, tha ai.

Kryetari i Këshillit Eshref Shabani tha se kanë vendosur që lënëdët t`i zgjidhin sipas radhës.

“Kemi fillu m`i zgjidh lëndët e vitit 2018, 2019, edhe lëndët fillestare”, tha ai.