Shqyrtohet mundësia e ndryshimit të Ligjit për zgjedhjen e Komisionierit për Privatësi

Komisioni për çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes në mbledhjen e sotme ka diskutuar për inicimin e plotësim ndryshim të Ligjit për Përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Ky propozim erdhi nga anëtari nga LVV, Rexhep Selimi pasi, sipas tij, me ligjin aktual nuk po mund të bëhet përzgjedhja sepse nuk po sigurohen 61 vota të deputetëve.

“Besoj se së bashku me ne kemi përgjegjësi për mos zgjedhjen e komisionerit dhe është një dështim i madh. Por, ndoshta një nismë prej komisionit për plotësim ndryshim të ligjit me procedurë të shpejtë, atëherë mund ta nisim dhe të përcaktohet një votë më e përshtatshme për zgjedhjen e tij”, tha Selimi.

Edhe Elmi reçica, anëtar nga PDK i këtij komisioni, u pajtua më plotësim ndryshimin e ligjit për për Zgjedhjen e komisionerit.

“Po e shohim që është një situatë e komplikuar dhe s’ka unitet me përmbyllë, të dakordohemi nëse ne kemi dështuar për shkak të ligjit që për 61 deputetë për me zgjedh, mund ta iniciojmë ose nëse kryesia ka mendu me bë një standard dhe ku kërkohet që është e paarritshme mund ta përshpejtojmë një plotësim ndryshim të ligjit”, tha ai.

Edhe anëtarja tjetër nga kjo parti, Ganimete Musliu u pajtua në lidhje me këtë propozim.

“Sa i përket ndryshimeve ligjor dhe këtë iniciativë e marrim edhe si komision edhe si numër i deputetëve sepse me këtë ligj ka me shku gjatë kohë pa komisioner”, shtoi Musliu.

Ndërsa kryetarja e komisionit për Siguri nga LVV, Fatmire Kollçaku, tha se për plotësim-ndryshim të ligjit do të vendosin në një takim tjetër

Kuvendi i Kosovës me përmbylljen e sesionit pranveror kishte dështuar të zgjedh Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Nga tre kandidatët Bujar Sadiku, Krenare Sogojeva- Dermaku dhe Muharrem Mustafa që ishin në garë asnjëri nuk kishte arritur që ta marr mandatin.

Me këtë rast Abasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ishte shprehur e zhgënjyer me dështimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të emëroj Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi më 14 gusht.

Prandaj edhe ishin tërhequr nga mbështetja e rekrutimit për Komisionerin për Privatësi.

“Mosemërimi i asnjërit prej tyre vë në dyshim zotimin e deklaruar të partive politike për të zbatuar Memorandumin e Mirëkuptimit me Ambasadën Britanike, por ç’është më e rëndësishmja, dërgon sinjal negativ për profesionistët e pavarur në Kosovë dhe shpresat e tyre për të kontribuar në Institucionet e Kosovës. Çdo emërim publik do të duhej të marr parasysh vetëm interesat e vendit dhe të qytetarëve të tij, dhe jo interesin e ngushtë partiak”, thuhej në njoftimin e ambasadës.

Britanikët tërhiqen nga mbështetja e rekrutimit për Komisionerin për Privatësi

Kuvendi i Kosovës në korrik kishte nënshkruar memorandum me Ambasadën e Britanisë së Madhe për pozitat e larta drejtuese.

Për disa vite radhazi britanikët kanë monituruar proceset e rekrutimeve të pozitave të larta nëpër institucionet publike. BIRN ka qenë pjesë e monitorimeve në shumë institucione publike gjatë përzgjedhjes së kanditatëve në pozita të larta. LINK

Ndryshe, konkursi për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, është përsëritur 3 herë.

Sipas Lëvizjes FOL Procesi i përzgjedhjes së Komisionerit/es është mbështetur nga projekti i Ambasadës Britanike “Rekrutimet e pavarura, llogaridhënëse, meritokratike dhe profesionale në Kosovë”.

Sipas FOL, pas procesit të plotë të përzgjedhjes, ky projekt ka vlerësuar kandidaten Krenare Sogojeva Dermakun me më së shumti pikë (27 pikë).