Shqyrtimi i Projektligjit për AKA-në, propozimet kryesore për kohëzgjatjen e akreditimeve

Një debat publik rreth Projektligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim mblodhi sot përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë, përfshirë këtu universitetet publike dhe kolegjet private.

Në këtë debat publik të organizuar nga Komisioni për Arsim, institucionet dhanë rekomandimet e tyre sa i përket këtij projektligji, i cili është në shqyrtim pas kalimit në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Kërkesat kryesore të institucioneve të arsimit të lartë kishin të bënin me kohëzgjatjen e akreditimeve të institucioneve dhe programeve të tyre, roli i Agjencisë për Akreditim si dhe Komisioni i Ankesave të AKA-së.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në dëgjimin publik që po mbahet për Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, tha se ky projektligj është i rëndësishëm për sigurimin e cilësisë në arsim në vend.

“Unë besoj që trajtimi me seriozitet i këtij ligji do të rris cilësinë e ligjit që do të miratohet në Kuvend. Është një ndër ligjet më të rëndësishme sa i përket arsimit të lartë dhe bashkë me ligjin për arsim të lartë që është në fund të draftimit”, tha Nagavci.

Ministrja tha se me këtë ligj është paraparë pavarësia e AKA dhe sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë.

“Nuk ka pasur ndonjë model si bazë për të punuar për draftim, asnjë model dhe është diskutuar, jo të gjitha vendet e BE-së nuk kanë fare ligj. Sipas draftit të ligjit, anëtarë do të jenë 6 anëtarë vendor, 3 ndërkombëtarë një përfaqësues i studentëve dhe një i industrisë. Pres që të finalizohet sa më parë ligji dhe besoj që do të ketë një ligj cilësor që do të kontribuojë në pavarësinë e Agjencisë”, tha më tej ajo.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Arsim, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola tha se pret kontribut nga përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë dhe propozimet e tyre do të merren parasysh për draftimin e Ligjit.

“Konsideroj se përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë kanë përvoja për këtë ligj dhe pres që të jepni kontributet e juaja dhe unë garantoj se nëse janë për cilësinë e këtij ligji ato përvoja do të ju garantojë që do të merren seriozisht nga Komisioni për Arsim dhe do të ketë ligj sa më cilësor”, tha Gola.

E para që mori fjalën ishte përfaqësuesja nga Universiteti i Gjilanit, Shpresa Qamili, e cila kërkoi një qendër trajnimi për të marrë dëshmi për të qenë anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Ajo po ashtu kërkoi të rregullohet në ligj edhe çështja e transferove të studentëve.

“Si ka mundësi që nëse caktohet nga AKA një kuotë prej 25 studentëve dhe 1 studentë kërkon transfer ose në vitin e tretë dhe programi që vazhdon, aty nuk mund të plotësohet numri i studentëve”, tha ajo.

Kurse, rektori i Universitetit të Ferizajt, Agron Bajraktari, propozoi që akreditimet institucionale të jenë së paku 5 deri në 10 vjet.

Rektori i Universitetit të Prizrenit, Samedin Krrabaj tha se për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë duhet të jetë vetëm një anëtar nga një institucion i arsimit të lartë.

“Tek neni ku thuhet se më shumë se tre anëtarë prej një institucioni, mendoj se duhet të kufizohet për shkak që me i lon hapësirë edhe institucioneve të tjera të jenë të përfshira për mundësi anëtarësimi”, tha Krrabaj.

Prorektori për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës, Elton Bahtiri, kërkoi që në ligj të përfshihet si bëhet kuorumi i një mbledhje të KShC-së si dhe me emërimin e anëtarëve të bëhet nënshkrimi i një deklarate të etikës.

“Tek neni 14, të tre anëtarët ndërkombëtarë ekspertë me përvojë akademike, por s’flitet për përvojë të tyre sikurse vendor”, tha ai.

Ai tha se në projektligj nuk janë të përfshira edhe periudha e dorëzimit të komenteve për draft raportet që dorëzohen nga ekspertët e jashtëm për vlerësimin e programeve apo institucioneve.

Bahtiri po ashtu propozoi që disa programe që janë me kohëzgjatje deri në 6 vite të jepet akreditimit për aq vite.

“Unë kam shkruar mos të jetë më e shkurtë se periudha e studimeve, sepse ka programe që janë më shumë se 5 vite në mjekësi”,  shtoi ai.

Pas tij fjalën e mori rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi. Ai tha se struktura e Agjencionit nuk është e rregulluar dhe sipas tij duhet të specifikohet llogaridhënia në ligj.

“Nuk është vendos komiteti i ankesave. KShC duhet të ketë kritere më kredibile për të qenë anëtar, mundësisht të jenë ish-rektorë, profesorë, shkencëtarë të fushave të ndryshme dhe jo nesër të bëhet doktor dhe të bëhet anëtar”, tha ai.

Ai tha se në projektligj duhet të specifikohen edhe ndëshkimet që marrin institucionet për tejkalim të kuotave.

“Ndëshkimi nëse i tejkalon numrin e studentëve, në një vend thotë ta marrë akreditimin me një vend i paguan 20 mijë euro, e për mu s’është problem kjo sepse i paguaj 20 mijë euro, por duhet me specifiku dhe rekomandimet e vlerësuesit janë obligative apo nuk janë, duhet të përcaktohet”, tha Hajrizi.

“Kontrolla me paralajmërim duhet krijuar një metodologji, duhet me qenë shumë kujdes që të bënë ndonjë sherr të panevojshëm”, shtoi Hajrizi.

Përfaqësuesi nga Universiteti i Pejës, Edmond Beqiri kërkoi që të largohet kriteri, që institucionet kur aplikojnë të marrin akreditim, të ofrojnë dëshmi që s’janë nën hetime apo të dënuar në 5 vitet e fundit.

“Në rastin e aplikacionit për riakreditim shkruhet se duhet të ofrojnë dëshmi nga organet kompetente që themeluesit nuk janë në hetime apo menaxherë në 5 vitet e fundit. S’ka institucion që lëshon këto vendime, kisha propozuar që ky nen të rishikohet”, tha ai.

Florim Gallopeni nga Kolegji Heimerer tha se çështja e periudhës dhe afati i akreditimit nuk është e përfshirë në këtë ligj.

“Afati kohor i akreditimit që tani në agjenci ndërkombëtare është 6 vite për proces të akreditimit e këtu në Kosovës është maksimumi 5 vite.Anëtarët e KShC, cilat janë kriteret që u përmendën, minimum çka do të duhej të ishte që stafi të ketë kritere sikurse për bartësit, të jenë së paku të barabartë”, tha ai.

Ai po ashtu kërkoi që vlerësimi i bartësve të programit mos të bëhet nga anëtarët e KShC-së që janë të fushës së mjekësisë, por me këtë çështje të merren ekspertët ndërkombëtarë.

“Mendoj që eksperti që thirret për mjekësi duhet t’ia lejë ekspertëve vlerësimin për bartësit dhe jo të marr vendim vetë”, tha ai.

Në përmbyllje të debatit publik, kryetari i Komisionit për Arsim tha se sipas tij, pika më e ndjeshme e këtij ligji është ankimimi dhe sipas tij duhet të rregullohet në dy mënyra.

“Super-ekspertiza do të ishte një mekanizëm që do të mundësonte procesin e dyshkallëshmërisë, ose me ndonjë organ tjetër të shqyrtimit të ankesave nga një organ tjetër, jo nga AKA”, tha Gola.

Anëtarja e Komisionit për Arsim nga LDK, Vlora Dumoshi tha se përfaqësuesit e studentëve dhe i industrisë duhet të dihet se a janë me të drejtë vote si anëtarë të KShC-së.

Arianit Krasniqi nga Agjencia për Akreditim e Kosovës tha se AKA qëndron prapa asaj që AKA të jetë agjencion i pavarur, ashtu siç ka qenë kërkesë e ENQA-s.

“Procedurat e ankimimit, në vlerësim nga ENQA, Komisioni i Ankesave është vlerësu pozitivisht dhe është tejet e rëndësishme. Nëse futet si super ekspertiza, kush mund të përcaktohet, unë e përkrahi idenë e dytë, ta trajtojë prokuroria atë ankesë”, tha Krasniqi.

Anëtarja e Komisionit për Arsim, Eliza Hoxha tha se çështja që duhet të rregullohet me këtë ligj, është se AKA çfarë roli duhet të ketë.

“Thelbësorja është neni 1 që e  përcakton se çfarë agjencioni dëshirojmë që edhe me ligjin në fuqi për arsimin e lartë që thotë se duhet të jetë i pavarur. Pavarësia e këtij institucioni duhet të jetë e nevojshme dhe nëse dëshirojmë me marrë statusin e ri, të krijojmë huti dhe agjencioni të bie në kthetrat politike, kjo është detyra jonë që duhet të jemi të qartë”, tha Hoxha.

Ndërsa, Granit Curri nga AAB tha se në një rregullore të KShC-së, Komisioni i Ankesave ka pasur të drejtë të plotë të marrë vendime, jo vetëm për çështje procedurale.

“Sa i përket Komisionit të Ankesave, u vlerësua pozitivisht, mirëpo një rregullore që e ka KShC ai ka pasur të drejtë të plotë me marrë vendime në ankesë”, tha Curri.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e BE-së, Suzana Bytyqi- Jagxhiu tregoi se pozicioni i BE-së është që Agjencia e Kosovës për Akreditim të jetë agjencion i pavarur.

Projektligji për Agjencinë e Akreditimit pritet të rregullojë statusin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe është propozuar të jetë si agjenci rregullatore në proceset dhe përgjegjësitë e akreditimit, riakreditimit, validimit, monitorimit me qëllim të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë në Republikën e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës javën më parë e ka miratuar në parim Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Miratimi i Projektligjit për AKA-në është edhe kriter për riaplikim të AKA-së për rikthim në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe regjistrimin në Regjistrin Evropian për Rritje të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).