Ilustrimi- Jeta Dobranja

Shqiptaro-amerikanët dhe Trump - Një miqësi boshe

Si shqiptaro-amerikanë, ta përkrahësh Trumpin nënkupton t’i kthesh shpinën betejës tënde për barazi – një betejë të cilën do të duhej ta kujtojmë si njerëz të cilët k3mi përjetuar shkollimin paralel, largimin nga puna, ligje diskriminuese, represione policore dhe spastrim etnik.

Pak kosovarë mund ta harrojnë pamjen e kryeministrit të tyre, Avdullah Hoti, i ulur si një çun shkolle përballë presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në muajin Shtator, ndërkohë që vetë Trump çirrej gjatë një bisede përmes linjës telefonike me kryeministrin Israelit Benjamin Netanyahun.  

Hoti do të dëshironte ta harronte faktin se ishte pajtuar që ta braktisë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare në këmbim të premtimit për njohje nga Izraeli, mirepo Trump nuk e ka harruar një gjë të tillë. 

Përmes një serie paraqitjesh nëpër fushata elektorale gjatë javës së kaluar, Trump ka deklaruar se administrata e tij i ka dhënë fundin një lufte në Kosovë, përkundër asaj që kjo luftë ka marrë fund 20 vite më parë. 

“Për dekada e dekada me radhë, ata po vrisnin njëri-tjetrin,” deklaroi Trump në Arizona gjatë një tubimi elektoral. “Ne kemi bërë një marrëveshje për 15 minuta. Ata ishin në Zyrën Ovale duke u përqafuar e puthur dhe  duke treguar se sa shumë e duan njëri-tjetrin.” 

Me një fjalë, konflikti Kosovë-Serbi ishte reduktuar në një storie të vjetër të “urrejtjes së lashtë etnike” në vend të shpjegimit të fashizmit nën Milosheviqin e pasuar me një spastrim të tmerrshëm etnik të shqiptarëve të Kosovës. 

Përkundrazi, Trump e trumpeton këtë të ashtuquajtur “marrëveshje tregtare” – në realitet dy seri zotimesh të ndara në një gamë të gjerë çështjesh të nënshkruara nga secila palë, por jo nga SH.B.A. – si një fitore diplomatike që i bën bashkë shqiptarët myslimanë dhe serbët e krishterë.

Ky shtrembërim i Luftës së Kosovës si një konflikt i lashtë religjioz me vrasje nga të dy palët nuk është diçka e re për Trump, i cili ka një talent të veçantë në përdorimin e gjuhës “së njerëzve të mirë në të gjitha anët.” Trump nuk sheh ndonjë ndryshim ndërmjet neo-nazistëve dhe protestuesëve anti-racistë.

Zëri i Trump për Kosovën, Richard Grenell, e kritikonte refuzimin e Kosovës për t’i hequr barrierat tregtare me Serbinë si barriera ndaj paqes – por jo edhe për pohimet e vazhdueshme të Serbisë për Kosovën apo edhe për varrëzat masive të cilat vazhdon t’i mohojë tash e dy dekada.

Djali i Presidentit Trump, Donald Trump Junior, ka deklaruar se trupat amerikane duhet ta braktisin Kosovën për shkak të refuzimit për t’i hequr barrierat tregtare me Serbinë, të cilat, thënë ma troç, Serbia është shtet fqinj më i madh dhe më i fuqishëm armiqësor ndaj ekzistencës së Kosovës. Ta përqafosh këtë realitet dhe të dalësh në anën e shtypësve është ajo çfarë kjo administratë e bën më së miri.

Kur shqiptarët nga diaspora e shprehin përkrahjen e tyre për Trump, ata e shprehin përkrahjen për një politikë të jashtme amerikane e cila e minon pavarësinë e Kosovës – e cila, edhe një herë, sa për kujtim, është ajo për të cilën kosovarët kanë protestuar, luftuar dhe vdekur që nga vitet e 90’ta e tutje. 

Politikat Trumpiane janë të atilla që edhe adhuruesit e Millosheviçit do t’i kishin përkrahur: kafazimi i fëmijëve migrantë, ndalimi i muslimanëve dhe vrasja pa gjyq e minoriteteve racore. I vetmi ndryshim është se shqiptarët në SH.B.A. nuk janë shënjestrat e kësaj dhune – të tjerët janë. Për të qenë më i saktë, shënjestra janë njerëzit e tjerë jo të bardhë.

Si shqiptarë, ta përkrahësh Trumpin nënkupton t’i kthesh shpinën betejës tënde për barazi – një betejë të cilën do të duhej ta kujtojmë si njerëz të cilët kemi përjetuar shkollimin paralel, largimin nga puna, ligje diskriminuese, represione policore dhe spastrim etnik.

Shqiptarët e Kosovës u ndihmuan nga ata që nuk ndanin asgjë të përbashkët me ne, përveç ndjenjës së dhembshurisë dhe solidaritetit. Kur jemi në diasporë, kjo histori nuk është harruar. Kur jetojmë jashtë si emigrantë dhe si të mbijetuarit nga persekutimi, të rrethuar nga të tjerë me histori të ngjashme të dhunës dhe shtypjes – me kë duhet të jemi?

Ekziston një mendim në komunitetet tona të diasporës që ne duhet të brengosemi vetëm për veten, pasurinë dhe familjet tona, në kurriz të të gjithë të tjerëve në vendet tona të cilat i kemi zgjedhur për të jetuar. Realiteti i të jetuarit dhe të punuarit në perëndim si emigrant na detyron shumë prej nesh të punojmë deri në molisje vetëm për të mbijetuar.

Ky izolim nënkupton se ne jemi të shkëputur nga betejat të cilat nuk janë tonat. Duke mos i ditur betejat e të tjerëve na e bën më të lehtë që ta shohim vetën tonë si punëtorë të mëdhenj dhe meritorë unikë – dhe të tjerët si njerë që dijnë vetëm të ankohen dhe të shkaktojnë probleme. Kjo do ta shpjegonte atë se si ndodhë që disa Shqiptaro-Amerikanët përkrahin Trumpin. 

Sidoqoftë, fati i komunitetit tonë jashtë është i lidhur me atë të imigrantëve tjerë dhe me azilkërkues, përkundër asaj nëse ne zgjedhim ta pranojmë këtë apo jo.

Në Amerikën e Trump, përderisa fëmijët refugjatë nga Amerika e Jugut mbahen në kafaz, Agjencia e Imigracionit dhe Doganave, ICE, i ka shkatërruar familjet shqiptare të cilat kanë jetuar dhe bërë jetë modeste në SHBA me dekada të tëra.

Shembujt përfshijnë Cile Pretelaj, një nënë e cila është rrëmbyer nga familja e saj ne mes të natës dhe është deportuar pas 18 vitesh në SHBA, Sokol Vokshi, një baba i cili është deportuar pas 24 vitesh në SHBA, Mikel Pukri, i cili ka jetuar në SHBA që nga koha kur ishte 3 vjeçar, dhe Ded Rranxburgaj, i cili me shumë trimëri është përballur me deportimin e familjes së tij duke kërkuar strehim në kishën e Detroitit gjatë dy viteve të kaluara.

Ashtu siç e thotë një fjalë e vjetër, duhet qëndruar pranë tjetrit derisa mos të mbesë  askush nga ne.  Unë isha me fat dhe e nderuar që të ndihmoja në organizimin e serive mbi drejtësinë racore për komunitetin Shqiptar në Amerikën Veriore me akademiken Alicia Strong, Shqiptarët Aktivë Tani (Albanians Active Now) dhe Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.

Jam frymëzuar dhe inkurajuar duke takuar shqiptarë që kujdesen shumë për solidaritetin dhe besojnë në veprime antiraciste. Ato janë antiteza e politikës Trumpiane të egoizmit dhe mizorisë. Ata e pushtojnë frymën e vërtetë të asaj që do të thotë të jesh i përkushtuar ndaj lirisë – ne nuk mund të jemi të lirë ndërkohë që edhe të tjerët nuk janë të lirë.

Përtej këtyre zgjedhjeje në Amerikë, kjo frymë duhet të përkthehet në veprim, organizim dhe protestë. Në këtë mënyrë e nderojmë luftën tonë për barazi. Kjo është mënyra se si ne i njohim komunitetet që e zhvillojnë të njëjtën betejë në vendet që i kemi zgjedhur ne. Kështu e ndërtojmë pushtetin, jo për hir tonin, por në emër të një të mire më të madhe publike.

Ky shkrim është përkthyer nga anglishtja kur fillimisht është publikuar në PrishtinaInsight.

Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

Hana Marku është studente e juridikut në Osgoode Hall Law School në Toronto. Ajo ka raportuar dhe komentuar mbi drejtësinë tranzicionale dhe barazinë gjinore për Prishtina Insight, openDemocracy dhe Kosovo 2.0 si studiuese dhe gazetare.