Shqiptarja Arba Kokalari zgjidhet nënkryetare e një komisioni të Parlamentit Europian

Shqiptarja Arba Kokalari është zgjedhur të mërkurën nënkryetare e një komisioni në Parlamentin Europian.

E lindur në Tiranë, Kokalari është politikane suedeze, e cila është zgjedhur deputete e Parlamentit Europian në zgjedhjet e muajit maj.

Arba Kokalari është zgjedhur nënkryetare e Komisionit për Barazi Gjinore, si raportuese kryesore për parandalimin e Dhunës ndaj Grave, brenda Parlamentit Europian për grupin më të madh parlamentar të Partive Popullore (EPP).

Për zgjedhjen në pozitën e nënkryetares së këtij Komisioni, Arba Kokalari është uruar nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ky është postimi i plotë në Facebook i Haradinajt:

“Urime të përzemërta për Arba Kokalarin, shqiptaren e parë që u zgjodh sot Zëvendës-Kryetare e Komisionit për Barazi Gjinore, si raportuese kryesore për parandalimin e Dhunës ndaj Grave, brenda Parlamentit Europian për grupin më të madh parlamentar të Partive Popullore (EPP).

Nuk ka nder e mburrje më të madhe për Kosovën sesa përjetimi i arritjeve kulmore e meritore të brezit të ri të shqiptarëve në botë.

Të priftë e mbara, Arba!”.