Presheva - Foto: REL
Shqiptarët në Serbi kritikojnë Gjykatën Kushtetuese për aprovimin e “pasivizimit të adresave”
Shqiptarët etnikë në Serbi dhe Kosovë akuzuan Serbinë për diskriminim pasi Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e një burri kundër shënjimit të adresës së tij si “joaktive” në regjistrat zyrtarë, që nënkupton se më nuk mund të vazhdojë afatin e dokumenteve të tij të identitetit
Verdikti i Gjykatës Kushtetuese serbe ka zemëruar shqiptarët etnikë në vend, të cilët pretendojnë se po diskriminohen nëpërmjet asaj që po quhet “pasivizim i adresave” – që nënkupton shënjimin e adresave të qytetarëve si “joaktive” në regjistrin policor, që nënkupton se ata nuk mund t’i përtërijnë dokumentet e tyre të identitetit.
Vendimi i 14 nëntorit i Gjykatës Kushtetuese hedh poshtë ankesën e shqiptarit etnik, Safet Demiroviq, kundër një instance më të ulët gjykate që konfirmoi “pasivizimin” e adresës së tij më 2019.
Demiroviq është nga Banja e Sijarinës në komunën e Medvegjës, në jug të Serbisë, ku jetojnë shumë shqiptarë etnikë të vendit.
“Ata më kanë trajtuar mua si qytetar të huaj, si të mos kisha pasur prona atje për breza me radhë. Madje kam pasur edhe një biznes atje prej vitit 2017, por Gjykata Kushtetuese nuk e ka përmendur fare” – ka deklaruar Demiroviq për BIRN-in të enjten.
Mijëra shqiptarëve etnikë nga tri komuna në Serbinë jugore, Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, u janë shënjuar adresat si “joaktive” prej autoriteteve të atjeshme serbe.
Kjo nënkupton se ata nuk mund t’i përtërijnë dokumentet e tyre të identifikimit, ose të ushtrojnë të drejtat e tyre që kërkojnë letërnjoftimet, si votimi. Çështja ka shkaktuar një mori protestash në rrugë në rajon.
Në korrikun e 2021-shit, Demiroviq dorëzoi ankesën e tij në Gjykatën Kushtetuese kundër verdiktit fillestar të Gjykatës Administrative në Nish, duke pretenduar se gjykata shkeli obligimet e Serbisë sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut për të siguruar procedura të drejta legale dhe për të ndaluar diskriminimin.
Verdikti i Gjykatës Kushtetuese, të cilin e ka parë BIRN-i, përcakton se Gjykata e Nishit me të drejtë zbatoi Ligjin e Serbisë për Banimin dhe për Banimin e Qytetarëve, sepse adresa që Demiroviq donte ta regjistronte në Banjën e Sijarinës nuk është “qendra e aktiviteteve të tij të përditshme dhe lidhjeve të tij sociale, ekonomike, profesionale dhe të tjera që provojnë një lidhje të përhershme me vendin”.
Sipas Gjykatës, Demiroviqi nuk ishte gjetur në adresën me të cilën kishte aplikuar për t’u regjistruar më 23 gusht 2019, dhe se “fqinjët dhe prindërit e tij kishin thënë se ai ndodhej në Austri, ku punon, dhe në Banjë të Sijarinës qëndron (vetëm) gjatë pushimeve”.
Në verdikt shtohej se më 6 shtator 2019, “kur ai ishte gjetur në adresën” e dhënë, kishte konfirmuar se kishte një vend pune në Austri dhe se më “3 tetor 2019, dhe 23 tetor 2019, ai përsëri nuk ishte gjetur në adresën” e dhënë.
Demiroviq ka ngulmuar në të tijën se nuk shkon në pronat e tij në Banjë të Sijarinës vetëm gjatë pushimeve.
Ai ka thënë gjithashtu se prej vitit 2017, është pronar i një kompanie që ofron qasje në internet në fshatra të thella në komunën e Medvegjës. BIRN-i ishte në gjendje që të verifikonte në mënyrë të pavarur se Demiroviqi është pronari dhe drejtori i kompanisë.
Ai ka shtuar se më 2020, kishte trashëguar shtëpinë familjare në Banjë të Sijarinës, dhe se njëherësh kishte blerë edhe prona të tjera. Kjo është konfirmuar prej certifikatave të kadastrës dhe pronës, që i ka parë BIRN-i.
Demiroviq ka thënë se tani do ta çojë rastin në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. “Ky është diskriminim”, ka thënë ai.
Ana Pisonero, zëdhënës për zgjerim e Komisionit Europian, ka folur për çështjen e “pasivizimit të adresave” gjatë konferencës për media të enjten.
“Ne e kemi të qartë se autoritetet serbe duhet ta sqarojnë më mirë para publikut sesi po kryhen kontrollimet e statusit të banimit që po rezultojnë me pasivizim dhe nëse Serbia jugore po shënjestrohet specifikisht” – ka thënë Pisonero.
Serbia aktualisht është në fazën e zhvillimit të negociatave të anëtarësimit në BE, dhe Pisonero ka thënë se shqetësimet e shqiptarëve etnikë po “adresohen në procesin e zgjerimit”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka ngritur njashtu çështjen gjatë javës. Bislimi ka shkruar në platformën X se verdikti i Gjykatës Kushtetuese të Sebrisë “legjitimon praktikën e diskriminimit sistematik të pasivizimit të adresave që po shënjestrojnë shqiptarët”.
“Kjo shkel të drejtat themelore të njeriut, dhe vërteton se pse shqiptarët nuk i besojnë sistemit dhe hezitojnë të nisin procese gjyqësore. Këto referenca nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese janë një interpretim, që provon mungesën e demokracisë, të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtave të minoritetit në Serbi” – ka shtuar Bislimi.
Në dhjetorin e vitit 2020, BIRN-i kishte raportuar rastin e Teuta Fazliut, një tjetër shqiptare etnike nga Bujanoci, që e kishte dërguar rastin e saj në Gjykatën Administrative të Serbisë.
Fazliu i ka thënë BIRN-it të enjten se Gjykata Administrative kishte vendosur kundër saj gjithashtu, dhe se vjet ajo e dërgoi rastin në Gjykatën Kushtetuese, për të përcaktuar nëse kjo përbënte shkelje të të drejtave të njeriut. Ajo po e pret verdiktin, por pasi ka lexuar për rastin e Demiroviqit, nuk është se “ka shpresa”.
Më herët gjatë muajit, shqiptarët etnikë dolën në një protestë në komunën e Medvegjës, e treta në muajt e fundit, pas tubimeve të mbajtura në dy komunat tjera në Luginën e Preshëvës me shumicë shqiptarësh etnikë në jug Serbisë, duke kërkuar dhënien fund diskriminimit.
Flora Ferati-Sachsenmaier, ligjëruese e Shoqërisë, Politikës dhe Kulturës në Universitetin e Gottingenit, ka kalkuluar se ndërmjet viteve 2012-2019, numri i votuesve shqiptarë në Medvegjë ka rënië nga 10.102 në 6.602. Ajo beson se “pasivizimi i adresave” është faktori kyç i rënies.
Ferati-Sachsenmaier ka thënë se presioni nga bashkësia ndërkombëtare është i domosdoshëm për të siguruar “simetri në të drejtat e pakicave etnike në Ballkanin Perëndimor”.
Ministria serbe e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe Dialogut Social i ka thënë BIRN-it se ligji i vitit 2011 për banimin po zbatohet barabarësisht për të gjithë qytetarët, pavarësisht prejardhjes së tyre etnike. Ka mohuar se ka çfarëdo diskriminimi ndaj shqiptarëve etnikë./ BalkanInsight
(Nga anglishtja: Rexhep Maloku)