Shqiptarët e Malit të Zi bashkohen në një listë për zgjedhje

Partitë shqiptare në Malin e Zi janë dakorduar të dalin me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 30 gusht.

Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se 5 partitë shqiptare sot  kanë lidhur koalicion.

“Sapo nënshkruam marrëveshjen e koalicionit gjithpërfshirës për zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, mes Forcës së Re Demokratike, Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit të Tuzit si dhe Lëvizjes Qytetare Perspektiva”, ka shkruar Cungu.

Sipas tij, ky bashkim i partive kryesore shqiptare të Malit të Zi, bëhet në interes të popullit, duke synuar maksimalizimin e votës shqiptare.

“Shpreh mirënjohjen ndaj diasporës dhe aktorëve të tjerë politikë, që kanë këmbëngulur për të krijuar një listë të përbashkët elektorale që do të mundësoj një përfaqësim më të denjë e të plotë të popullit shqiptar në parlamentin e Malit të Zi”, ka thënë më tej ai.

Bashkim të partive shqiptari pati edhe në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.