Shqiptarët e Luginës së Preshevës bëhen bashkë për zgjedhje, reagon Ilir Meta

Partitë shqiptare në Luginë të Preshevës janë bashkuar në një listë zgjedhore për zgjedhjet nacionale në Serbi që pritet të mbahen më 21 qershor.

Lajmin ditë më parë e bëri edhe kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi.

Këtë veprim të partive shqiptare e ka përshëndetur presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

“Përshëndes ngrohtësisht dorëzimin e listës së përbashkët të partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës për zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit”, ka shkruar Meta në Facebook.

Presidenti shqiptar e ka quajtur të dobishëm bashkëpunimin e partive shqiptare në Luginë.

“Shpreh bindjen se pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhje, bashkëpunimi i të gjitha subjekteve politike për rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve, si dhe bashkëpunimi i tyre i ngushtë me faktorin ndërkombëtar do të garantojnë forcimin e zërit të popullsisë shqiptare, në funksion të plotësimit të kërkesave dhe të drejtave të tyre legjitime në Serbi’, ka thënë tutje Meta.

Siç njoftoi Shaip Kamberi, koalicioni i partive shqiptare në zgjedhjet nacionale në Serbi sot ë mbaj numrin 16.

“Sapo u certifikua Lista e përbashkët e partive politike shqiptare për pjesmarrje në zgjedhjet parlamentare të 21 Qershorit. ADSH – Lugina e Bashkuar do të mbaj numrin 16 në fletën e votimit. Faleminderoj 4800 përkrahësit e PVD-së në veçanti, e 11730 përkrahësit e kësaj liste në përgjithësi, që me nënshkrimin e tyre përkrahen këtë Listë zgjedhore. Ftoj të gjithë shqiptarët me drejtë vote të përkrahin listën e përbashkët dhe faleminderoj Republikën e Shqipërisë dhe Ministrin Cakaj për përkrahjen e parezervë të kësaj liste. PVD do t’i prijë Listës e bashkë me të tjerët do t’i prijmë proceseve”, ka njoftuar Kamberi ditë më parë.

Bashkimin e partive shqiptare për zgjedhjet nacionale e bëri të ditur edhe kryetari i Preshevës, Shqiprim Arfimi.