Shqiptarët dhe serbët e Kosovës bëjnë apel të përbashkët lidhur me personat e pagjetur

Asociacionet e familjeve të personave të zhdukur shqiptarë e serbë të Kosovës në një konferencë për shtyp të enjten në Beograd thanë se të dyja vendet duhet të hapin arkivat e kohës së luftës dhe të japin informacione për njerëzit që ende janë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë.

“Nuk do ketë përparim në ndonjë shoqëri derisa aty ka varre sekrete dhe eshtra të paidentifikuara”, tha Natasha Shqepanoviq, kryetare e Shoqatës së viktimave të Kosovës.

“Ne kërkojmë hapje të të gjitha arkivave dhe evidencave që kanë lidhje potenciale me varret, ne kërkojmë hetim gjithpërfshirës dhe profesional, dhe ne kërkojmë mbrojtje të dëshmitarëve,” shtoi ajo.

Bajram Qerkinaj nga Qendra për persona të zhdukur në Prishtinë tha se “Ne nuk duhet të mashtrohemi se përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës në bisedime në Bruksel për normalizim të raporteve do shpalosin ndonjë gjë rreth personave të zhdukur.

“Nuk është vetëm presidenti serb Vuçiq, por të gjithë politikanët në Serbi dhe Kosovë nuk kanë thënë kurrë atë çfarë dinë. Atë që do duhej ta kishin bërë, nuk e bënë kurrë,” tha Qerkinaj.

Përfaqësuesit e personave të zhdukur thanë se deri në këto momente janë 1,643 njerëz ende të renditur si të zhdukur nga lufta në Kosovë.

“Sot janë 1,643 familje që nuk e dinë se ku i kanë më të dashurit e tyre,” tha Gordana Gjikanoviq nga Shoqata e viktimave të Kosovës.

Ngjarja e titulluar ‘Të zhdukurit nuk duhet të mbesin një numër- Ata kanë emra’, është organizuar nga Shoqata e viktimave të Kosovës dhe Qendra për persona të zhdukur në Prishtinë para ditës ndërkombëtare të të zhdukurve – 30 gusht.

Një ngjarje me të njëjtin emër dhe pjesëmarrës është mbajtur edhe në Prishtinë të martën. Balkan Insight