Prezantimi i eventeve të Ditëve të Kujtesës në Tiranë. Foto: Konrad Adenauer Stiftung.

Shqipërisë i kërkohet të ndalojë lavdërimin e regjimit komunist

Prezantohet një peticion që u bën thirrje autoriteteve të ndalojnë lavdërimin e ish-diktaturës komuniste shqiptare, të ndalojnë shfaqjen e simboleve të saj dhe të verifikojnë zyrtarët për lidhjet e tyre me krimet e këtij regjimi.

OJQ-ja Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë prezantoi të enjten në mbrëmje në Tiranë një peticion, i cili do t’i paraqitet parlamentit duke kërkuar një legjislacion për të frenuar ndikimin e vazhdueshëm të ish-regjimit komunist të diktatorit Enver Hoxha.

Peticioni u bën thirrje ligjvënësve të miratojnë një legjislacion që i ndalon partitë politike të lavdërojnë ish-diktaturën komuniste të vendit ose retorikën e saj dhe të ndalojnë përdorimin në publik të simboleve të ish-regjimit.

Në peticion thuhet se ndryshimet në Kodin Penal duhet të ndjekin modelet e vendosura nga shtetet e BE-së që kanë ndaluar glorifikimin e regjimeve komuniste fashiste dhe totalitare.

Ai thotë gjithashtu se funksionarët politikë dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore duhet të verifikohen për lidhjet me regjimin e mëparshëm dhe se aktivitetet kriminale të Sigurimit të Shtetit dhe institucioneve të tjera nën komunizëm duhet të zbulohen plotësisht për publikun.

Më tej, ai kërkon që të rishikohen emrat e shkollave, rrugëve, shesheve dhe institucioneve, si dhe programet shkollore.

Shqipëria ka miratuar tashmë dy rezoluta për këtë çështje, duke dënuar krimet e regjimit komunist në vitin 2006 dhe duke dënuar krimet kundër klerit në vitin 2016.

“Por zbatimi i tyre ka qenë minimal”, tha për BIRN Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.

“Duke qenë se ditëlindja e diktatorit Hoxha përkujtohet me nostalgji nga grupe që e prezantojnë veten si veteranë, duke qenë se këto grupe ende përdorin simbole të diktaturës dhe relativizojnë të keqen, nisma e peticionit është e nevojshme”, shtohet aty.

Nisma u nis si pjesë e një sërë ngjarjesh të quajtura Ditët e Kujtesës, të cilat zgjasin deri më 26 shkurt, duke eksploruar çështje që lidhen me ish-diktaturën komuniste të vendit.

Në mars të vitit të kaluar, Luljeta Bozo, e cila në atë kohë ishte kandidate për zgjedhjet e Partisë Socialiste në pushtet, ngjalli kritika të gjera duke lavdëruar Enver Hoxhn.

“Nëse i vendosni në një peshore, për mua, ai ka më shumë gjëra pozitive sesa negative”, tha Bozo pasi u pyet se çfarë mendonte për Hoxhën dhe dëmin që i bëri vendit. Ajo nuk kërkoi falje pavarësisht kritikave.

Në nëntor, një deputet i Partisë Socialiste shënoi Ditën e Pavarësisë duke postuar një foto të diktatorit Hoxha në një grup në WhatsApp, gjest i cili u bë publik nga mediat.

Nostalgjia për epokën komuniste në Shqipëri nuk është e pazakontë dhe në parlamentin e vendit ka pasur edhe ish-komunistë.

Historiani Pjerin Mirdita tha se kalimi nga regjimi komunist drejt demokracisë në fillim të viteve 1990 nuk u pasua nga një nismë dekomunistizimi që ishte e nevojshme për shoqërinë shqiptare.

“Kjo i lejoi njerëzit që ishin të angazhuar në administratën shtetërore komuniste të vazhdonin punën dhe përfshirjen e tyre në institucione të të gjitha niveleve në sistemin e ri të qeverisjes pa asnjë shqetësim”, tha Mirdita për BIRN.

“Gjatë këtyre 30 viteve, ata janë përfshirë në të gjitha qarqet shoqërore, institucionale dhe vendimmarrëse në vendin tonë, gjë që i ka bërë shumë dëm përditshmërisë së shqiptarëve. Dhe sot, pas gjithë këtyre viteve, dekomunistizimi është një proces tepër i vonuar dhe më e rëndësishmja, institucionet shtetërore nuk po e marrin iniciativën ashtu siç duhet”, shtoi ai.