Foto, Ministria e Mbrojtjes
Shqipëria shton prezencën ushtarake në Kosovë në kuadër të KFOR-it
Forcat e Armatosura shqiptare do të shtojnë më tej kontributin me trupa në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Kështu ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Shqiperisë.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ka pritur në një takim kortezie komandantin e KFOR-it, gjeneral-major Ferenc Kajári, në kuadër të vizitës së këtij të fundit në Shqipëri.
“Të dy bashkëbiseduesit, ndanë mendime mbi situatën aktuale të sigurisë në kufijtë lindorë të Aleancës dhe impaktin që këto zhvillime mund të kenë në rajonin tonë. Për këtë, Peleshi kërkoi vëmendje të shtuar të KFOR-it, në mënyrë që t’i paraprijë situatave që mund të lindin si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.
Në njoftim thuhet se gjeneral Kajári vlerësoi maksimalisht trupat shqiptare që shërbejnë aktualisht në KFOR.
“Gjeneral Kajári vlerësoi maksimalisht trupat shqiptare që shërbejnë aktualisht në KFOR, duke vënë në dukje nivelin e lartë të profesionalizmit të tyre, si dhe mirëpriti vendimin e vendit tonë për shtimin e kontributit në këtë mision. Më tej, ai e falënderoi ministrin Peleshi për mbështetjen e vazhdueshme që vendi ynë i jep misionit KFOR dhe e siguroi se profesionalizmi dhe dedikimi i të gjithë trupave nën komandën e tij, do të vijojë të jetë në nivelet më të larta”, thuhet në këtë njoftim.