Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia Veriore takohen për bashkëpunim, Kosova mungon

Kryeministri i Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe presidenti i Serbisë kanë nënshkruar një deklaratë për bashkëpunimin rajonal ekonomik, me qëllim të përshpejtimit të procesit për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave mes tre shteteve.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina nuk ishin pjesëmarrëse në këtë takim, për të cilën tre liderët u pyeten nga gazetarët se pse nuk janë të papranishme edhe këto tri shtete si pjesë e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq deklaroi se për shtetin serb është e rëndësishme që të arrihet liria e qarkullimit të njerëzve, dhe zhvillimi ekonomik pavarësisht historisë mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai shtoi se kanë këmbëngulur për heqjen e taksës për shkak se ‘nuk duan të kenë probleme’.

“Nuk është problem për ne pasi për faktin që kemi dallime me Kosovën e Metohijën, vendet tjera e kanë njohur dhe Serbia jo, atëherë kjo është një çështje tjetër. Por kur bëhet fjalë për lirinë e qarkullimit të njerëzve, kapitalit kjo është me rëndësi kyçe për ne. Kjo është arsyeja pse kemi këmbëngulur për heqjen e tarifës, jo vetëm që nuk duam të kemi probleme por gjithashtu duam të vendosim disa rregulla”, tha ai.

“Presim pa durim qe të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor pavarësisht statusin që njohim apo nuk njohim. Kjo është me rëndësinë për zhvillimin e gjithë rajonit. Njerëzit duhet të përpiqen të lënë emocionet e tyre dhe në këtë pikë rezultatet do të jenë të jashtëzakonshme për qytetarët tanë. Kjo do të thotë më shumë investime të huaja, dhe për njerëzit që vin në këtë rajon të shohin rritjen dramatike dhe të shohin krah pune”, shtoi Vuçiq.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev e arsyetoi mungesën e Kosovës, pasi që kjo e fundit është e angazhuar për të krijuar qeverinë e re. Zaev dhe Rama thanë se Kosova është e mirëpritur për takimin e radhës.

Në anën tjetër, lidhur me deklaratën “mini-shengen”, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq tha se deri në vitin 2021, pret që njerëzit nga të tre vendet të jenë në gjendje të kalonin kufijtë e tyre duke përdorur vetëm letërnjoftimet.

Ndërkaq, Rama tha se Ballkani Perëndimor nuk është më prioritet i BE-së, por që kjo nuk duhet të jetë pengesë për ta quar përpara agjendën e bashkëpunimit mes tyre.

“Le ta themi siç është realiteti, ne nuk jemi prioriteti i BE-së, prioriteti i tyre është procesi ku kanë hyrë për të reformuar veten. Ne nuk mund të presim të bëhemi prioriteti i BE-së, por të avancojmë duke strukturuar një veprim shumë më aktiv”, tha Rama.

Ata njoftuan gjithashtu një takim të ri në qytetin e Maqedonisë së Veriut në Ohër më 10 nëntor, në të cilin do të ftohen të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor.