Presidenca e Shqipërisë. Foto: Zyra e Presidentit

Shqipëria përzë diplomatin rus “me keqardhje”, shkeli masat anti-COVID

Shqipëria përzuri një diplomat rus të enjten për shkak se ka refuzuar të respektojë masat e ndërmarra nga autoritetet shëndetësore shqiptare për kufizimin e përhapjes së koronavirusit të ri dhe se sjellja e tij nuk ka ndryshuar as pas notave të protestës të dërguara te ambasadori Mihail Afanasiev.“Që prej muajit prill 2020, por dhe në fillim të këtij viti, Qeveria Shqiptare ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme, mbi shkeljet e hapura të masava të marra nga ana e një diplomati të ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë,” deklaroi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europës në një njoftim të publikuar në faqen e saj në Facebook.

“Me keqardhje, Qeveria Shqiptare ka marrë vendimin të shpallë “Person NON Grata” (person të padëshirueshëm), diplomatin Alexey Krivosheev, me detyrimin që të largohet brenda 72 orësh nga momenti i dhënies së njoftimit zyrtar,” vijon më tej deklarata.

Ambasada e Rusisë në Shqipëri hyri në debate me qeverinë shqiptare pak javë më parë kur i rekomandoi Endri Fugës zëdhënësit të kryeministrit Edi Rama, përdorimin nga Shqipëria të vaksinës ruse kundër COVID-19 të quajtur Sputnik V. Ambasada ruse iu përgjigj një ankese publike të Fugës ndaj Bashkimit Europian dhe planit të BE-së për të ndihmuar rajonin e Ballkanit me vaksina në një fazë të dytë.

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sugjerimit të Ambasadës së Rusisë duke e quajtur deklaratën “një provokim”.

Nuk është e qartë nëse ka lidhje mes “provokimit” me vaksinë dhe shpalljes non grata të diplomatit Krivosheev.

Marrja e vaksinës sa më shpejt duket se është bërëçështje prestigji politik për kryeministrin shqiptar, i cili përballet me zgjedhje parlamentare më 25 prill.

Rusia e ka eksportuar vaksinën e saj në Serbi ndërsa Hungaria miratoi përdorimin e saj së fundmi.

Ambasada e Rusisë në Tiranë nuk ka ngurruar të informojë ndjekësit e saj shqiptarë në gjuhën shqipe në faqen e vet në Facebook për suksesin e Sputnik V.

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë e paraqiti përzënien e diplomatit si një rast të izoluar dhe pa lidhje me marrëdhëniet dypalëshe.

“Sigurojmë palën ruse për ndjenjat tona miqësore dhe për gatishmërinë tonë, në vijim të punës së mirë të nisur, për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona,” deklaroi Ministria në njoftimin e shpalljes “person i padëshiruar” për diplomatin.

Alexey Krivosheev ka mbajtur funksionin e Sekretarit të Dytë në ambasadën e Rusisë në Tiranë ndërsa më herët pa mbajtur të njëjtin pozicion në ambasadën e Rusisë në Shkup. reporter.al