Shqipëria përgatit shkollat për maturantët

Shkollat e Shqipërisë janë përgatitur për pritjen e maturantëve që pritet të mbajnë mësimin fizik në përgatitje për mbajtjen e Testit të Maturës.

Për këtë, Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini ka treguar për masat që janë marrë për zhvillimin e mësimit në situatë pandemie.

“Vijon puna përgatitore në shkolla për masat që sigurojnë distancimin fizik mes nxënësve. Gjatë gjithë këtyre ditëve janë vendosur postera dhe sinjale të tjera orientuese, si dhe është kryer dezinfektimi i shkollave për të qenë gati të mirëpresim maturantët më datë 18 maj”, ka bërë të ditur Shahini në Facebook.

Kurse, maturantët e Kosovës pritet që të mbajnë maturën shtetërore në fillim të korrikut, ku siç ka njoftuar Ministria e Arsimit do të jetë një test më i thjeshtë dhe do të mbahet sipas rekomandimeve të IKShPK.