Shqipëria mbyllë klubet e natës dhe baret, ndalon muzikën pas orës 20:00

Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim që të ndalojë operimimin e të gjitha klubeve të natës, diskove dhe bareve, përveç restoranteve, për shkak të situatës me COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë ju informon gjithashtu se me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili: Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve”, ka bërë të ditur MSh.

Sipas njoftimit, mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3,000,000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare.

Po ashtu me këtë akt është ndaluar edhe muzika pas orës 20:00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji.

“Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1,000,000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore”, është thënë më tej në njoftim.

Në Shqipëri, që nga fillimi i pandemisë deri më sot, janë shënuar 4171 raste pozitive me COVID-19, 2352 persona të shëruar dhe 113 viktima. Kurse, në këtë shtet aktualisht janë 1706 raste aktive./TopChannel