Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shqipëria kërkon ndihmë nga Kosova për shuarjen e zjarreve, dërgohet një kontingjent i FSK-së

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Shqipëri për t’i dalë në ndihmë për shuarjen e zjarreve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka zhvilluar mbledhje korresponduese, në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se ambasada e Shqipërisë në Kosovë ka kërkuar ndihmë nga autoritetet e Kosovës për fikjen e zjarreve masive.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, përmes një Note verbale, ka përcjell kërkesën te Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës për ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve lokale të Kukësit për fikjen e zjarreve masive me të cilat është duke u përballuar Qarku i Kukësit në ditët e fundit.Nisur nga kjo Notë verbale, Ministria e Mbrojtjes ka bërë kërkesë që qeveria të miratojë vendimin për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë. Qeveria ka aprovuar kërkesën duke siguruar edhe mjetet buxhetore për financimin e operacionit”, vazhdon  njoftimi.

Presidentja Vjosa Osmani autorizon dërgimin e FSK-së në Shqipëri për shuarjen e zjarreve