Qyteti bregdetar i Durrësit. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Shqipëria hap plazhet, por qytetarët nuk kanë vendosur akoma për pushimet

Ndërsa vendi hapi zyrtarisht plazhet ditën e hënë, pas muajsh izolimi dhe distancimi social qytetarët shprehen se nuk kanë vendosur akoma se ku do t’i kalojnë pushimet.

 

Pas gati tremuajsh izolimi dhe distancimi social me 1 qershor qeveria hapi zyrtarisht plazhet për qytetarët shqiptarë, me zbatimin e një protokolli shtesë sigurie që synon parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Vlora është yll, ne jemi vetë nga Jugu dhe pushimet gjithë jetën i kemi kaluar në Jug,” shprehet Mirela, ndërsa së bashku me të bijën e saj 12 vjeçare, Marilenën, janë ulur në një cep të sheshit Skënderbej në Tiranë, duke shijuar rrezet e diellit të ditëve të fundit të majit  “Vlora është bërë shumë e bukur dhe shumë e lirë,” shtoi ajo, duke e përforcuar pohimin e mëparshëm.

Mirela nuk është e vetme në dashurinë e saj për bregun e Vlorës, i cili ka një klimë të ngrohtë me puhira detare që zbusin të nxehtin e verës; megjithatë ajo nuk i ka prenotuar akoma pushimet këtë vit.

“Unë i planifikoj pushimet një vit në advancë, pavarësisht se kësaj radhe patëm diçka të pa parashikuar,” shprehet ajo, duke iu referuar situatës së emergjencës shëndetësore të krijuar gjatë muajve të fundit nga epidemia e koronavirusit të ri. “Shqipëri e dashur, këtu do rrimë”, shprehet Mirela e vendosur.

Ngjashëm me Mirelën shumë qytetarë të Tiranës  nuk kanë bërë plane akoma për pushimet e verës dhe për disa prej tyre, kriza ekonomike që ka ndjekur epideminë e COVID-19, pushimet thjeshtë i ka bërë të pamundura.

Që nga shpërthimi i epidemisë me 8 mars, koronavirusi i ri SARS-CoV-2 ka prekur 1143 persona, nga të cilët 33 kanë humbur jetën, 877 janë shëruar dhe 233 raste janë aktive

Për të sheshuar kurbën e pandemisë qeveria ndërmori një seri masash shtrënguese të izolimit të popullatës dhe distancimit social, si dhe mbylljen e kufijve; duke futur në karantinë edhe industrinë e turizmit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave, INSTAT, gjatë 4 muajve të parë të vitit si pasojë e pandemisë së COVID-19, Shqipërinë e vizituan 1.4 milionë vizitorë ose 51 % më pak se një vit më parë.

Me rihapjen e plazheve me 1 qershor, operatorët e sektorit turistik shpresojnë ta përmbysin trendin negativ dhe shumë besojnë se për shkak të uljes së numrit të vizitorëve ndërkombëtarë sektori mund të mbijetojë duke u mbështetur tek turistët vendas.

Megjithatë, rihapja e këtij sektori të ekonomisë, ngjashëm me bizneset e tjera ka ardhur me rregulla shtesë për sa i përket higjienës dhe masave për parandalim të përhapjes së COVID-19.

Ndërkohë, që ne bregdet plazhet rihapen me protokolle sigurie; në Tiranë qytetarët pyesin veten nëse ka ardhur koha të prenotojnë pushimet e tyre.

“Asgjë nuk dimë deri tani, se nuk po merret vesh si do shkoje kjo gjëja”, tha një vajze e re duke iu referuar situatës së COVID-19, teksa ecte rrugës duke shtyrë karrocën e fëmijës së saj të porsalindur.

Florian Toshi dhe Arbër Gjonaj, dy shokë 20-vjeçarë nga Paskuqani, të cilët po ecnin rrugës pranë bulevardit të ri të Tiranës, u shprehen gjithashtu se janë në “në ajër” për pushimet verore këtë vit.

“Ne jemi dhe në shkollë njëkohësisht, dhe nuk e dimë deri kur do të na shtyhen leksionet dhe provimet,” tha Toshi. “Zakonisht vitet e tjera i kemi bërë pushimet në plazh ose në fshat, ndërsa këtë vit nuk kemi bërë akoma planifikime,” shtoi ai.

Ngjashëm shprehet edhe Klodiana Pando, 53-vjeç, një qytetare autoktone e Tiranës, e cila i tha BIRN se këtë vit familja e saj nuk ka vendosur asgjë konkrete në lidhje me pushimet, por pavarësisht vështirësive, ata po planifikojnë që të paktën disa ditë t’i kalojnë në jug të Shqipërisë.

“Pas këtyre muajve, e kemi futur pak dorën tek buxheti i pushimeve, kështu që është reduktuar pak”, tha ajo duke iu referuar vështirësive ekonomike që ka sjellë ndërprerja e punës dhe mbyllja e shumë bizneseve për më shumë se dy muaj.

“Megjithatë besoj se nja 10 ditë do i marrim pushime, por ndonjë plan specifik nuk kemi bërë akoma me thënë të drejtën”, shtoi ajo.

Sipas barometrit të Organizatës Botërore të Turizmit, ky sektor ra me 22 % në tremujorin e parë të vitit 2020 në të gjithë botën si pasojë e COVID-19 dhe gjatë gjithë vitit parashikohet të ketë 60 % deri në 80 % më pak turistë në krahasim me një vit më parë, ose 67 milionë turistë më pak.

Një arsye për paqartësinë e qytetareve për pushimet në jug të vendit vjen dhe si pasojë e mungesës së ofertave nga agjencitë turistike. Këto të fundit shprehen se kanë më shumë interes të bashkëpunojnë me hotelet në vendet fqinje si Mali i Zi, Greqia apo edhe Turqia, pasi hotelet e Shqipërisë dhe bujtinat nuk i ofrojnë përqindje të leverdishme fitimi.

“Shpesh herë në hotelet shqiptare ka mungesë të shërbimit dhe të cilësisë kundrejt çmimit që ofrohet,” tha Elvis Kukeli nga agjencia Alba Travel.  “Prandaj dhe klientët më pas detyrohen të gjejnë alternativa të tjera duke marrë shtëpia me qera dhe duke mbuluar vetë pjesën e gatimit”, shtoi ai.

Ngjashëm, agjencia turistike “Cosmos Tours”, ofron vetëm paketa me jashtë dhe është në pritje të hapjes zyrtare të kufijve në mënyrë që të fillojnë të funksionojë normalisht.

“Ne operojmë më shumë me jashtë, kryesisht me Turqinë. Kërkesa kemi pasur, por deri tani nuk mund t’i shtyjmë klientët për prenotime, për aq kohë sa nuk kemi asgjë konkrete të sigurt”, u shpreh një punonjëse e kësaj agjencie.

Ndërkohë që një pjesë e qytetarëve nuk e kanë vendosur akoma se nëse do t’i kalojnë pushimet në bregdetin e detit Jon ose jashtë vendit, për shumë të tjerë pushimet këtë verë janë një luks që nuk mund t’ia lejojnë vetes.

“Çfarë pushimesh moj…ku kemi lekë ne,” u ankua Fatbardha, me origjinë nga Dibra dhe vendbanim në Tiranë. “Unë kam 3 muaj pa punë. As që bëhet fjalë për pushime”, përfundoi ajo.